Një javë afat deri në dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë së re

Më së voni deri më 9 janar, presidenti Gjorgje Ivanov do të dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë, duke respektuar kështu afatet e shkruara në ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Këtë Ivanov e konfirmoi vetë dje gjatë vizitës së depos ushtarake “Erebino”. Ai tha se do të respektoj afatin prej 10 ditëve për të dhënë mandatin partisë e cila do të tregoj se ka shumicën në Kuvend, afat i cili po skadon pas konstituimit të Kuvendit.

“Unë si kryetar jam i obliguar sipas Kushtetutës pas konstituimit të Kuvendit në afat prej dhjetë ditëve të jap mandatin, më pas mandatari ka afat prej 20 ditëve të formoj qeverisë e cila duhet të fitoj shumicën në Kuvend”, ka thënë Ivanov. Afati prej 10 ditëve i presidentit për të dhënë mandatin për formimin e Qeverisë ka filluar prej më 30 dhjetor kur u bë konstituimi i Kuvendit. Mandatari do të ketë më pas afat prej 20 ditëve që Kuvendit t’i propozojë kabinetin e ri qeveritar dhe programin e punës së Qeverisë.

Nëse brenda këtij afati në Kuvend nuk arrin asnjë propozim ose i njëjti nuk kalon, atëherë Ivanov i jep mandatin partisë tjetër me radhë e cila do të ketë edhe 20 ditë shtesë për të propozuar Qeverinë e re dhe programin për mandatin katër vjeçar, për miratimin e të cilave nevojitet mbështetja e shumicës parlamentare apo të paktën 61 deputetëve.

Ndërkohë, deri më sot nuk ka asnjë informatë për bisedime mes partive politike rreth koalicionit të ardhshëm qeveritar. As nga VMRO-DPMNE e as nga LSDM nuk njoftojnë nëse ka bisedime me partitë shqiptare. Megjithatë dy partitë maqedonase pretendojnë se do të formojnë Qeverinë e ardhshme./Shenja


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu