Vetëm një ditë pas masakrës së përgjakshme në Stamboll për të cilën mori përgjegjësinë organizata terroriste ISIS, ushtria ruse dhe ajo turke në operacione të ndara kanë goditur me aeroplanë luftarakë mbi 100 pozicione të këtyre xhihadistëve në Siri.
Ushtria turke ka goditur pozicionet e ISIS-it në pjesën veriore të Sirisë, derisa mediat turke raportojnë se në këto sulme janë vrarë 22 xhihadistë të ISIS-it, transmeton Telegrafi.
Agjencia Antolia, duke cituar deklaratën e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, raporton se aeroplanë turq kanë bombarduar tetë pozicione të ISIS-it, derisa tanket dhe artileritë e rënda kanë goditur 103 pozicione tjera në afërsi të qytetit Al Bab.
Ndërkaq, aeroplanët rusë kanë bombarduar pozicionet e ISIS-it në pjesën jugperëndimore të qytetit Al-Bab në Dair Kak.
Operacioni i ushtrisë turke “Mbrojtja e Eufratit” kishte filluar para katër muajve, ndërsa qëllimi i ushtrisë turke është që t’i zmbrapsin xhihadistët që janë pozicionuar përgjatë kufirit Siri-Turqi si dhe ndaljen e përparimit të forcave kurde. /Telegrafi/