“Padyshim se të gjitha mendimet e njeriut dhe i tërë veprimi i njeriut shpeshherë varet nga koha dhe u nënshtrohen ndryshimeve. Por, nëse formojmë parti politike, e cila u përmbahet kërkesave të cilat i dikton koha, atëherë partia e tillë do të jetë sterile dhe jetëshkurtër. Veçanërisht partitë ose, thënë më mirë, sidomos partitë politike në qoftë se dëshirojnë të mbijetojnë, duhet të ndërtohen në thellësi. Ato duhet të bazohen në vlera të përjetshme”.
Kështu thoshte para më shumë se gjysëm shekulli politikani gjerman dhe themulesi i CDU-së, Konrad Adenauer.
Por, si u themelua dhe çfarë vizioni ka sot Aleanca për Shqiptarët?
Ajo është një parti politike e qendrës së djathtë e themeluar në vitin 2015 në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e udhëhequr deri para do kohe nga Ziadin Sela, aktualisht nag Arben Taravari, i cili paraprakisht ishte njeriu i dytë i saj.
“ALEANCA PËR SHQIPTARËT është parti politike që nëpërmjet formave demokratike dhe paqësore të veprimit synon sigurimin, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në Republikën e Maqedonisë në të gjitha sferat e jetës shoqërorë”, thuhet në Nenin 7-të të Statutit të kësaj partie.
Pastaj, në Nenin 8-të dhe 9-të lexon: “ALEANCA PËR SHQIPTARËT synon krijimin dhe avancimin e mekanizmave të mirëfillta për një funksionim të drejtë, transparent dhe jo diskriminues të shtetit ligjorë. ALEANCA PËR SHQIPTARËT synon barazi të plotë etnike, kulturore dhe konfesionale si pjesë e lirive dhe të drejtave elementare të njeriut dhe qytetarit”.
Nisur nga këto nene nga Statuti i kësaj partie, lind pyetja si do t’i arrijë këto zotime ASH duke qendruar në opozitë?
Pastaj, çfarë do ju thotë ajo në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare votuesve të saj (kudro që të mbahen), pse mbeti opozitë!
Tani, ky subjekt i cili drejtohet nga Taravari, sado të thuhet se janë spekulime, ajo në realitet bisedon për të qenë pjesë e Qeverisë së vendit e cila udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski. Momenti është kyç, pasi bëhet fjalë për të ardhmen europiane të vendit. Nisur nga zotimet e ASH-së nga vetë Statuti i saj dhe ky moment i fundit, ajo do të duhet të bëhet pjesë e Qeverisë dhe të vendos kushet për të bindur elektoratin e saj se kjo rokadë e mundshme politike, është për të përmbushur zotimet dhe nuk do lejojë të rrezikohet vendi dhe e ardhmja nga një parti si E Majta (Levica).
Opinioni nuk e ka harruar as “Shtet për të Gjithë”, programin politik të kësaj partie me të cilin garoi në zgjedhjet e fundit parlamentare para dy vitesh, gjegjësisht në vitin 2022.
Në këtë program, ASH na i bënë të ditur edhe prioritetet qeverisëse: Paga më të larta, 25 mijë vende të reja pune, çrrënjosje të korrupsionit, etj. E si mund të gjitha këto të realizohen duke qenë opozitë?! Gjasat thuajse janë zero.
Nisur nga titulli i programit “Shtet”, ASH nëse nesër bëhet pjesë e Qeverisë, qëllimi ai duhet të mbetet në vend se për pak pushtet. Interesi i saj duhet të jetë që të mund të realizojë programin e vet.
Nëse Arben Taravari ka njerëz me të cilët mund të realizojë zotimet, ky duhet të jetë momenti. Nëse jo, shkuarja në Qeveri sa për të rehatuar disa individë lakmitarë të pushtetit, kësaj partie do t’i kushtojë shumë. Aq e madhe do të jetë kostoja, që mbase do merrte fundi si subjekt politik.
Ai dhe bashkëpartiakët duhet të kenë përfunduar llogaritjet, opinioni vetëm do pres javën e ardhëshme për të mësuar vendimin. Kushdo të jenë pozitat që do i merrte, ASH duhet të tregoj se ka kapacitet për “Shtet për të Gjithë”; dhe a ka vend për të në Qeveri të tregojë vetë e jo t’i tregojnë të tjerët.