Ramadani sërish godet BDI-në e Ali Ahmetit

Rezultati i ngushtë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, nuk i jep mundësinë VMRO-së që e vetme të formoj kabinetin e ri qeveritar andaj edhe në paraqitjet para opinionit ajo tregohet e përmbajtur lidhur me kombinimet e mundshme.

“Menjëherë pasi të marrim mandatin do të fillojmë me negociatat dhe do të bëjmë përpjekje maksimale për formimin e qeverisë, pasi e kemi për obligim të bëjmë gjithçka të mundur për të realizuar programin të cilin e kanë votuar qytetarët”, ka deklaruar në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i VMRO-së, Ivo Kotevski.

Në zgjedhje VMRO-ja fitoi 51 deputetë, por për të formuar qeverinë i duhet të ketë mbështetjen e së paku 61 deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi. Ofertën e parë ajo duhet t’i bëj BDI-së së Ali Ahmetit që në zgjedhje fitoi 10 mandate, por koalicioni i tillë do të ishte i pasigurt andaj për të pasur një qeverisje më stabile asaj i duhen edhe votat e partive tjera shqiptare, që në zgjedhje fituan deputetë, si lëvizja BESA 5 pastaj Aleanca për Shqiptarët 3 mandate dhe 2 PDSH-ja.

Por, përveç BDI-së e cila ende qartë nuk është deklaruar, të gjitha partitë tjera shqiptare janë deklaruar kundër koalicionimit me VMRO-DPMNE-në për shkak të retorikës së saj të ashpër që ka mbajtur kundër çështjeve të pazgjidhur shqiptare, jo vetëm gjatë fushatës elektorale, por edhe më parë gjatë qeverisjes me BDI-në.

Ismet Ramadani, ish deputet dhe njohës i çështjeve politike, thotë se BDI-ja e ka të qartë se shqiptarët në zgjedhje me votat që i dhanë LSDM-së, por edhe me përgjysmimin e mandateve të saj, kanë votuar kundër një koalicionimi me VMRO-në.

“Unë vlerësoj se në rast se BDI-ja do të shkonte në koalicion me VMRO DPMNE-në ajo do të bënte një vetëvrasje që do të kishte pasoja në zgjedhjet e ardhshme. Ajo definitivisht mund të ekzistoj si parti, por edhe si parti parlamentare”, thotë Ramadani për Rel.

Në rast se VMRO-ja nuk arrin që brenda 20 ditëve nga marrja e mandatit të formoj qeverinë, atëherë në bazë të kushtetutës, mandati i jepet partisë së dytë, LSDM-së me 49 deputetë. Kjo parti edhe më parë ka bërë të ditur se pavarësisht dallimit në vetëm dy deputet me VMRO-në, do të jetë ajo që do të formojë qeverinë.

Analisti Ismet Ramadani thotë se koalicioni më i realt në një situatë të tillë, do të ishte ai mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Këtë qëndrim ai e mbështet edhe në programin dhe deklarimet e vazhdueshme të liderit të saj, Zoran Zaev, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura etnike, përfshirë edhe të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu