Maqedonia është sërish shënjestër e kërcënimeve hibride

Nga: Borjan Jovanovski

Do të habitesha nëse Maqedonia do të bënte përjashtim kur bëhet fjalë për momentet kritike të proceseve integruese evropiane. Si rregull, pothuajse në të gjithë Evropën Lindore, mafia, oligarkët dhe të gjithë të tjerët të prekur nga integrimi evropian dhe zbatimi i standardeve evropiane që vjen me procesin e anëtarësimit, bënë gjithçka që kishin në dorë për të parandaluar këto procese.

Edhe këtu tek ne kemi shumë që ndihen rehat me mbajtjen e këtyre “rregullave” të gjuetisë në mjegulla e baltë, me të cilat gjatë tranzicionit fituan pasuri të jashtëzakonshme dhe fuqi ndikuese në struktura dhe institucione të ndryshme politike.

Më në fund kemi nisur një proces të anëtarësimit në BE me skriningun që pritet të vendosë një diagnozë të qartë të të gjitha dobësive tona që na kanë mbajtur në këtë situatë për 30 vjet, pra në baltën e tranzicionit. Në të njëjtën kohë, liderët europianë nisën dalëngadalë të dërgojnë mesazhe që rikthejnë shpresën e humbur në integrimin europian, siç ndodhi në Tiranë, ku u bë lajmi për hapjen e fondeve europiane për të rinjtë, të cilat deri më tani ishin privilegj vetëm për BE-në dhe shtetet anëtare. Në vend që të fokusohemi në shfrytëzimin e këtyre mundësive, kaosi dhe tensionet po rriten në Shkup gjë që nuk kanë të bëjnë me sensin e shëndoshë.

Në vend që shoqëria të fokusohet në një debat serioz publik për temat dhe fushat që administrata europiane “trajton” në Bruksel në kuadër të skriningut – si një mundësi ideale për të nxjerrë më të mirat nga të gjitha këto tema, të cilat përndryshe autoritetet tona do të mundoheshin t’i fshihnin në sirtarët e tyre, për të mos dalë në sipërfaqe të gjitha detajet, të cilat na kanë sjellur deri te mosfunksionimi i ligjeve. Ndërkaq, potencialin që e ofrojnë programet dhe fondet e BE-së për studentët dhe të rinjtë tanë që me të drejtë dëshpërohen, ndërkohë që ne duhet të përballemi me një krizë nervore këto ditë të shkaktuar nga bllokadat e qytetit dhe raportet e rreme për bomba – që në fakt krijojnë psikozë dhe ndjenja frike dhe pasigurie.

Kjo psikozë duket se vijon nga ajo që krijohet në nxitjen e ciklit të ri të tensioneve në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, përndryshe e para në atë serial që kalon pa u vënë re në vendin tonë, duke qenë se kësaj radhe këto tensione në veri ne i ndjekim nga pozicioni i një anëtari të NATO-s, gjë që bën të mundur mbijetesën me qetësi të këtyre streseve serbo-kosovare. Njoftimet e vazhdueshme për bomba në shkolla tashmë kanë një profil të qartë të një kërcënimi hibrid me qëllim për të shkaktuar trazira në popullatë, kështu duke konfirmuar në këtë mënyrë tezat e disa strukturave politike që janë këmbëngulëse në përpjekjen e tyre për të minimizuar dhe madje diskredituar përfitimet e anëtarësimit në NATO.

Fatkeqësisht, aktorët e këtyre sulmeve hibride padyshim që përdorin me mjeshtëri dobësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjë që e bën këtë institucion kyç në rastin konkret pjesë të problemit.

Në të njëjtën kohë, dobësia e autoriteteve të qytetit del qartazi në mobilizmin e “çiklistëve” të Putinit për të bllokuar qytetin për ditë të tëra, duke shkaktuar nervozizëm tek qytetarët. E gjithë kjo logjikisht krijon një ambient në të cilin pakënaqësia e qytetarëve duhet të kulmojë në drejtime të ndryshme sa më larg fokusit në mundësitë për të krijuar disa kushte më normale në shoqëri.

Maqedonia duket se edhe një herë pas procesit të pranimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila mundësoi anëtarësimin në NATO, është një objektiv serioz i sulmeve hibride që synojnë ta mbajnë vendin jashtë forcës gravitacionale të proceseve integruese euroatlantike.

Këto situata i vënë në provë serioze institucionet shtetërore dhe pushtetin – që për të gjithë këtë mjedis të krijuar kanë përgjegjësi të madhe për t’i mbrojtur qytetarët nga pasojat e kësaj lufte psikologjike kundër Maqedonisë, interesat e së cilës janë larg atyre të qytetarëve maqedonas.


1 Koment

  1. Maqedonia nuk ka problemet qe po kalon Shqiperia dhe e thene keshtu ajo eshte me pak e prirur per problemet sociale ekonomike se sa fqinjet e saj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu