Nga: Mr. Driton Nebiu
Sa e sa burra me emër ka pasur e ka Breza e Malësisë së Karadakut, duke filluar nga imam e hoxhallarë, për të vazhduar me mësues e burra të odave e të pleqërisë e deri tek artist, biznesmen, politikan po edhe burra punëtor e familjarë. Në një kohë fshat i krenarisë, i njohur edhe sot për mbajtjen e fjalës e të besës, fshat që ju dha shumë jo vetëm vendit të vet, po edhe gjithë rajonit, Shkupit, Kumanovës po edhe më gjërë. Me ajër të pastërt si në Alpet Shqiptare, me një pasuri natyrore që vetëm Zoti dinë të krijojë, me burime të shumta të ujit e tokë pjellore që mund të kultivojë thuajse gjithçka. Ka shumë tregime, anegdota, legjenda e “mesele” për këtë vend, që fatkeqësisht sot është lënë thuajse në harresë, në mëshirë të kohës dhe vet fshatarëve. Nga rreth 500 shtëpi sa kishte në një të kaluar jo aq të largët, sot vetëm në disa prej tyre mund të vëresh tymin e oxhakut e dritat e ndezura. Me një rrugë në gjendje të mjerueshme të mos themi edhe katastrofale, me një shkollë me mezi 20 nxënës, me një xhami thuajse të boshatisur, pa shpresë për prosperim, Breza sot po jeton momentet më të vështira të ekzistencës së sajë shekullore. Fshat i shpërndarë edhe në vet territorin e saj që vlerësohet si fshati më i madhë i këtij lloji në Maqedoninë e Veriut , po edhe me breznjan të shpërndarë gjithandej tokave shqiptare, po jo edhe vetëm, si një vendbanim që daton që nga shekulli i 15 po me gjasa që banorët e parë të jenë edhe nga koha e Ilirëve të lashtë, sot Breza po ballafaqohet me një depopullim tej mase. I dha Breza gjithë rajonit banorë, i dha njerëz që ndihmuan dhe ndihmojnë vendbanimet ku sot qëndrojnë, dha edhe djemt e vet që ranë dëshmorë për një jetë më të mire, jo vetëm për Brezën, u dha edhe përkrahje të gjitha partive politike në vend, e në veçanti atyre që vepruan në zonën zgjedhore numër dy, por ja që për fat të keq, asgjë nuk mori prej tyre, përpos disa vizitave shpresdhënëse por pa fryte. Banorët e kësaj ane nuk janë të pangopur dhe nuk kërkojnë shumë. Kërkojnë vetëm disa kushte elementare, që po u takojnë shumë fshatrave të tjera që as nuk kanë kapacitetin e Brezës. Breza ka nevojë për një rrugë të kalueshme në cdo stinë, përkujdesje shëndetësore, ndonjë vizitë të kohëpaskohshme nga ata që po drejtojnë shtetin, ndonjë manifestim sa për të ringjallur jetën në fshat dhe … Asgjë më shumë se sa ato që u takojnë. Sot kur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po debatohet për ndarjen e parave të grumbulluara nga qytetarët, ku një numër mjaft i madhë është me prejadhje nga fshati Brezë, detyrimisht duhet që partitë politike, e në veçanti të përzgjedhurit që morën votat e breznjanëve gjithandej zones së dytë zgjedhore, të ngrisin zërin edhe ate zërin e argumentuar se Brezës duhet ti ndahen mjetet për realizimin e këtyre kërkesave pa asnjë vonesë, pa dallim përkatësie partiake, po thjeshtë duke respektuar breznjanët dhe kontributin e tyre për ta. Gjithçka tjetër dhe lëshimi pe në favor të planifikimeve tjera do të ishte thjeshtë keqpërdorim i besimit të dhënë dhe një mashtrim i radhës që u bëhet breznjanëve dhe Brezës në përgjithësi. Ta bëjmë Brezën fshat të të gjithëve, në vend se të shëndërrohet në fshat të harruar nga të gjithë.
FOTO: