Ushtria amerikane ka premtuar se do të rris fushëveprimin dhe kompleksitetin e stërvitjeve ushtarake evropiane, si përgjigje ndaj agresionit rus. Në Gjermani për përforcime kanë ardhur tanket, kamionët dhe pajisjet tjera me të cilat NATO forcon krahun e saj lindor në Evropë.
“Kjo është veç një pjesë e lëvizjeve tonë për t’iu kundërvënë agresionit rus, për të siguruar integritetin territorial të aleatëve tanë dhe për të ruajtur një Evropë të tërë, të lirë, të begatë dhe paqësore”, ka thënë gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Tim Ray.
Ai theksoi përkushtimin e fuqishëm amerikan gjatë një vizite në Bremerhaven, portin gjerman në veri, ku arritën mbi 2.800 pjesë të pajisjeve të cilat mbi 4,000 trupa amerikane do t’i përdorin gjatë ushtrimeve me anëtaret e NATO-s që janë në kufi me Rusinë, transmeton Telegrafi.
Përforcimi i forcave të NATO-s dhe SHBA-ve në Evropën Lindore ndodh pak ditë pasi Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmeve kibernetike dhe përhapjen e informacioneve të rreme që të shtojnë shanset zgjedhore të republikanit Donald Trump dhe diskreditimin e kandidates demokrate Hillary Clinton.
Ray vuri në dukje se rreth 70,000 trupa në Evropë u përshtaten me shpejtësi sfidave strategjike, të tilla si veprimet ushtarake ruse në Ukrainë, valët e emigrantëve nga Siria dhe radikalizmit islamik.
“Tanket dhe kamionët që kanë arritur janë veç një pjesë e armatimit të madh që përfshijnë edhe pajisjet moderne për hapësirë, hapësirë kibernetike, ajër dhe tokë”, tha Ray.
Akuzat për sulme kibernetike, që kanë mundur të ndikojnë në zgjedhjen e presidentit amerikan, tash nuk po i mohon as Donald Trumpi, i cili ka kërkuar nga organet sekret të bëjnë gati kundërpërgjigjen amerikane. /Telegrafi/