Pas borës dhe ngricave, Shqipëria pritet të goditet nga përmbytjet

Pas ngricës që ka përfshirë të gjithë vendin, sinoptikanët parashikojnë që javën e ardhshme të nisin reshje të dendura shiu.

“Ditën e martë dhe ditën e mërkurë masat e ftohta arktike do marrin sërish një impuls, duke sjellë reshje bore në jug dhe jug-lindje të vendit, me intensitet të ulët. Ndërsa ditën e premte pritet të afrohen rrymat ajrore perëndimore të cilat janë më të ngrohta dhe do të sjellin reshje shiu më të vrullshme në ultësirën perëndimore në orët e mbrëmjes dhe reshje bore në zonat malore. Kjo situatë do sjellë edhe një rritje të ndjeshme të temperaturave, e cila do të shkaktojë shkrirje të borës dhe prurje ujore në grykëderdhjen e lumenjve, veçanërisht në Drin, Mat dhe Vjosë, që do pësojnë rritje të nivelit të tyre fundjavën e ardhshme”, thotë meteorologjia e TCH, Rezarta Xhakollari.

Ndërkohë, ministri i Bujqësisë iu përgjigj shqetësimit të Top Channel lidhur me masat e marra deri më tani për të shmangur situatat e përmbytjeve.

“Kam inspektuar të gjithë rrjetin e hidrovoreve… dhe po ndërhyjmë për të mbathur ato argjinatura që kanë nevojë për riparim. Mbajmë në gatishmëri motopompat në hidrovorë… dhe kemi marrë masa që të minimizojmë dëmet në toka bujqësore, në stalla dhe sera për ta përballuar sa më mirë situatën”, tha ministri i Bujqësisë, Panariti.

Qarqet e Lezhës dhe Shkodrës janë më të rrezikuara nga përmbytjet, ndaj dhe vëmendja është fokusuar në to për pastrimin e kanaleve dhe digave me eskavatorë, të cilët do të jenë në gatishmëri të plotë. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu