Nga: Ramiz Lladrovci
“Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, është tullumbace e re në qiellin ballkanik. Pra, emri i marrëveshjes më duket interesant, por, duke njohur Serbinë, është titull naiv. Nuk do ta komentoj përmbajtjen, ngase ende nuk është zyrtarizuar.Serbia, me shekuj, ka studiuar rrugët si t’i pushtojnë tokat shqiptare, andaj, “rrugën e normalizimit”, nuk e shoh sot as të bindshme, madje as të mundshme, aq më pak me këtë koniunkturë politike që sundon në Serbi.
Pse? Serbia kurrë nuk i njohu krimet as gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, para dhe pas Kongresit të Berlinit, në Luftën e Parë Botërore, ndërmjet dy luftërave botërore, koha e Rankoviqit, dhuna pas vitit 1981 deri në çlirimin e Kosovës, në veçanti krimet e vitit 1998-1999.
Ende politika aktuale serbe, nuk i njohu ato krime, madje as helmimet e nxënësve, prandaj, as nuk pres të kërkoj falje as për 400 varrezat masive.
Me votat që nuk përfillin opozitën, kam pritur nga Kryeministri më shumë konsistencë. “Normalizimi”, për aq sa e njoh politikën serbe, do të thotë kurth për të gjithë ata që nuk e kanë përjetuar krimin nga ai regjim gjenocidal.
Do të ishte mrekulli për herë të parë në histori, nëse “normalizimi” do të realizohej, si term i panjohur në politikën serbe ndaj shqiptarëve, për dyqind vjetët e fundit.Kjo i bie, si normalizim i raporteve të ujkut me qengjin!