Fshati i bllokuar, banorët: Jemi pa ushqime dhe ilaçe

Kryetari i fshatit Ketë në Bashkinë e Klosit lëshon sinjalin SOS. Sipas tij, 600 banorë të këtij fshati janë të bllokuar prej ditësh, ndërsa nuk bëhet fjalë për furnizim me ushqime dhe ilaçe. Kryeplaku Sali Muça thotë se ka kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale, por deri mbrëmë askush nuk ka shkuar t’u përgjigjet apo t’u vijë në ndihmë. Banorët thonë se rezervat ushqimore janë pakësuar, ndaj kërkohet ndërhyrja nga autoritetet e emergjencave civile.

Ajo çka banorët u druhen më së shumti janë emergjencat shëndetësore, apo gratë shtatzëna. Për këtë arsye, kryeplaku kërkon ndihmë që rruga e fshatit të hapet sa më shpejt.

Z.Muça, cila është gjendja në fshatin që ju drejtoni?

Keta është fshati më i largët në Bashkinë e Klosit. Jemi në mes të maleve. Ndodhemi mes Tiranës dhe Klosit. Rrugët janë të bllokuara prej pesë ditësh. Lusim Zotin të na ndihmojë. Shyqyr që nuk kemi pasur ndonjë urgjencë shëndetësore deri më tani. Në Ketë bën dimër gati çdo vit, por si ky dimër nuk mbahet mend prej 30 vitesh. Është acar i madh. Bora është mbi 1 metër.

Nuk pritej një dimër kaq i ashpër, ndryshe banorët do të kishin siguruar më shumë rezerva ushqimore për vete dhe kafshët. Bashkë me personelin e shëndetësisë lëvizim të organizuar nga një shtëpi në tjetrën për t’u ardhur në ndihmë banorëve të fshatit dhe i porosisim të mos dalin nga shtëpitë dhe të na informojnë për çdo shqetësim që ato do të kenë.

Ku jeni ankuar dhe çfarë përgjigje keni marrë?

Tri ditë më parë i telefonuam administratorit të njësisë administrative Xibër. Na u përgjigj mirë dhe na premtoi ndërhyrje me një fadromë për të hapur rrugën e pushtuar nga bora dhe akulli. Menduam se do ta mbante fjalën. Dy ditë më pas, ai dhe kryetari i Bashkisë Klos jo vetëm që nuk kanë marrë masa për nxjerrjen e fshatit nga izolimi, por ato nuk na hapin as telefonat.

Kjo na imponoi të kërkojmë ndihmë nga mediat për të sensibilizuar autoritetet e larta shtetërore. Kryesore është të hapet rruga Xibër-Tiranë sepse ky segment na nxjerr nga izolimi më shpejt. Mund të ketë emergjenca shëndetësore. Ka gra shtatzëna. S’mund të rrimë të izoluar se rrezikohet jeta e banorëve.

A kanë banorët bazë ushqimore të mjaftueshme?

Si kryetar fshati do të informoj autoritetet qendrore dhe emergjencat civile për situatën e krijuar. Sinoptikanët janë shprehur se dimri do të vazhdojë dhe fshati ynë fillimisht duhet të ketë rrugën e tij. Sigurisht do të kërkojmë edhe ndihma ushqimore e mjekësore, sepse dimri këtu zgjat më shumë sesa në zonat e tjera të Matit. Edhe disa vite më parë, ne jemi ndihmuar nga ajri për ushqime./Panorama


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu