Nxënësit në Maqedoni vazhdojnë të mësojnë me librat që ofendojnë shqiptarët

Ka mbetur në “status quo” çështja e librave të kontestueshëm të historisë dhe gjeografisë në shkollat e Maqedonisë, dhe gjithë kjo situatë se vjen dhe i shton problemet në procesin e mësimdhënies, shkruan gazeta KOHA. Tekstet që ofendojnë shqiptarët, jo vetëm që do të mbesin edhe për shumë gjatë pjesë zyrtare e sistemit arsimor, por detyrimisht do të duhet të mësohen përmbajtjet e tyre ashtu sikurse janë. Në fund të çdo viti shkollor (në përjashtim të maturanteve) vjen testimi ekstern dhe nxënësit në fund të këtij procesi marrin një notë, e cila ndikon në mesataren e suksesit të tyre.

Maturantët, sikurse duhet, i nënshtrohen këtij procesi në fund të gjysmë-vjetorit të parë të vitit shkollor. Pyetjet për testimin ekstern përpilohen mbi bazën e librave dhe programeve mësimore të një lënde të caktuar dhe detyrimisht, nëse nxënësit pretendojnë të marrin nota kaluese në testimet nga lënda e historisë dhe gjeografisë, duhet të mësojnë ato që shkruhen në ato libra. Çdo përpjekje tjetër, për të mësuar nga libra alternativ do të thotë dështimi i sigurt në testimin ekstern. Kjo për momentin është gjëja që më së paku e dëshirojnë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit e tyre.

Mësimdhënësit e këtyre lëndëve thonë se janë në hall me zgjedhjen e materialeve që duhet punuar. Përveç shqetësimeve për rezultatet në testimin ekstern, është edhe rreziku nga inspektorët. Ndodh jo shpesh, por të paktën një herë në vit, që shkollat, respektivisht mësimdhënësit të vizitohen nga inspektorë të arsimit. Gjëja e parë të cilën e kontrollojnë është nëse njësia mësimore e evidentuar në ditar përputhet me programin e lëndës, sikurse është caktuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kjo i detyron ata, që nxënësve t’u shpjegojnë njësitë mësimore sikurse qëndroj në libër dhe siç janë të parapare me program. Kështu që çdo devijim nga programi, paraqet rrezik që të marrin vërejtje nga inspektorët se “nuk realizojnë programin”. Dy vërejtje radhazi të këtilla të rrezikojnë vendin e punës në shkollë, plus që nxënësit do të marrin nota të dobëta, sepse njohuritë e tyre do të vlerësohen jo për atë çka u ka shpjeguar mësimdhënësi, por për atë që qëndron në libër dhe program. Kjo, duhej të kishte obliguar dyfish MASH-in me detyrimin për largimin nga përdorimi i teksteve të kontestueshme të historisë, gjeografisë dhe tjerave që ofendojnë shqiptarët dhe komunitete tjetra jo maqedonase. Sepse, në arritjen e suksesit të nxënësve cilësia e librave është i padiskutueshëm. Mirëpo, deri tani nuk është realizuar asnjë prej iniciative të shumta për eliminimin e këtij problemi në sistemin arsimor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu