Pas më shumë se 20 vitesh besimtarët katolikë do të kenë mundësi të jenë pjesë e meshës në gjuhën shqipe në Katedralen “Zemra e Krishtit” në Shkup, shkruan gazeta Koha. Është kardinali Ernest Troshani Simoni, kleriku 88 vjeçar nga Shkodra, që pak kohë më parë u shpall kardinal nga Papa Françesku, që pritet të vijë në Shkup. Kjo vizitë e kardinalit në të gjitha trevat shqiptare, që nis me meshën në Prishtinë e më pas në Shkup e në Mal të Zi, konsiderohet nga organizatorët si një event që më shumë sesa fetar, ka edhe karakterin kombëtar.
Ferdinand Samarxhi, gazetari i të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, por edhe pjesë e grupit që po organizon këtë vizitë, thotë se kjo është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për besimtarët katolikë. “Kardinali Troshani do të çojë meshat në të gjitha trevat shqiptare, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe ky është një event që, mbi të gjitha, ka një karakter kombëtar dhe si i tillë do të zhvillohet. Në Shkup kjo vizitë do të bëhet në bashkëpunim më Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, ndërsa në Mal të Zi ipeshkvi Rrok Gjollesha po ashtu na ka thënë se pritja do të bëhet edhe me flamuj kombëtarë”, thotë Samarxhiu.
Autoritetet kishtare në Maqedoni kanë mirëpritur këtë vizitë, duke u shprehur “se janë të gëzuar që kardinali do të vizitojë katedralen dhe do mbajë meshë”. Mesha e fundit në gjuhën shqipe është mbajtur para me shumë se dy dekadash, atëherë kur u largua edhe kleriku i fundit, Izak Doda, që shërbeu prej gati katër vjetësh në kishën e Shën Zefit në Bit Pazar. Edhe përpara ardhjes së tij meshat në shqip ishin ndërprerë prej vitesh, për shkak të ndarjes nga jeta të ish meshtarit Gaspër Gjini. Vizita në Katedrale në Shkup që pritet të jetë në fund të këtij muaji, ose në shkurt do të jetë e shoqëruar edhe me një manifestim kulturor.