Shokon Berat Buzhala: Po të isha unë Ali Ahmeti…

“Shtrëngoni rripat e sigurisë se ka rrezik që do të them një blasfemi: Do të bëja koalicion me Nikolla Gruevskin. Më poshtë e keni arsyetimin”, shkruan Berat Buzhala.

Të flasësh për Maqedoninë, ose më saktësisht të gjesh zgjidhjen e duhur politike për këtë republikë, është, pak a shumë, sikur të gjesh fijen e duhur të telit për ta çaktivizuar një bombë të kurdisur – në mesin e dhjetëra fijeve të tjera.

Ta kemi të qartë: këputja e gabueshme e fijeve të tjera të telit e çon në hava autorin, por edhe ata përreth tij. Me pak fjalë, Maqedonia ka qenë dhe do të mbetet një bombë e kurdisur. Duke qenë e tillë, duke qenë delikate, të parët që duhet të evakuohen prej tryezës, në të cilën merren vendimet, janë njerëzit që kanë pasion.

Ata që flasin për drejtësi, në formë të hakmarrjes. Kur kanë kaluar disa javë prej ditës së zgjedhjeve, atje edhe më tutje nuk ka një qartësi politike. Ajo çfarë po shihet është një tendencë për të mos respektuar votën e maqedonasve dhe atë të shqiptarëve që votuan për VMRO dhe BDI. Po provohet të bëhet një puç i pastër kundër partisë dukshëm më të votuar nga maqedonasit, pra VMRO-së dhe shefit të saj Nikola Gruevski.

Kjo gjë po ndodh duke e frikësuar shefin e BDI-së, Ali Ahmetin, të cilin si një kukull po e bartin nga një tryezë në Tiranë, në një tjetër në Prishtinë. Nuk e di çfarë i tha konkretisht Edi Rama, e as çfarë i tha Hashim Thaçi, Ali Ahmetit dhe lojtarëve të tjerë politikë atje. Por e di që edhe i pari, e edhe i dyti, këto tryeza i thirrën për veten e tyre, e jo për të dhënë ndonjë zgjidhje interesante politike. Që të mos zgjatem shumë, po e jap edhe unë një opinion timin për krizën në Maqedoni dhe për rolin e shqiptarëve atje.

Nëse nuk shikojmë prapa, nëse i mbyllim sytë për çfarë ka ndodhur vitet e fundit, atëherë secili idiot do të mundë të jepte një formulë të saktë për zgjidhjen atje. VMRO-ja ka fituar bindshëm në mesin e maqedonasve, sikur që BDI-ja ka fituar bindshëm votën e shqiptarëve. Nëse 1 + 1 bëjnë 2, atëherë edhe VMRO dhe BDI duhet të bëjnë koalicion për të qeverisur edhe për një mandat.

VMRO duket qartë që e ka këtë vullnet, por jo edhe BDI-ja. Kjo e fundit, për shkak të rrjedhjes së votave, për shkak të zërave të shumtë në internet, për shkak të ngjarjeve të caktuara që kishin ndodhur atje në vitet e fundit, duket që është e frikësuar dhe në kërkim të një formule tjetër për të qeverisur. Ali Ahmeti po pyet nëpër shtetet shqiptare për një formulë, që, sipas tij, do ta shpëtonte politikisht. Ajo çfarë do të gjejë, realisht, është një formulë që do ta rrënojë përfundimisht.

Atij po i kërkohet me ngulm që të futet në koalicion me partinë maqedonase, vetëm pse brenda saj gjenden dy-tre shqiptarë. Një gazetar mediokër dhe një qytetar i shquar i shoqërisë civile. Harrova, edhe nëna e një këngëtari. Dhe pastaj kjo ekstrapulohet në forma dhe trajta të ndryshme. Por esenca është kjo: Çfarëdo vendimi që të marrë Ahmeti ai do të vazhdojë të mbetet i sharë dhe i anatemuar prej atyre që e shajnë dhe e anatemojnë tash. Dallimi është vetëm te fakti që a dëshiron të mbetet edhe i sharë edhe lider i dobët, apo i sharë dhe lider që merr vendime të forta.

Nëse dorëzohet para LSDM-së dhe presionit qytetar, atëherë shuarja e BDI-së, shkatërrimi i saj, nuk është më në pikëpyetje. Mbetet vetëm të shihet se kur do të ndodhë kjo. BDI ka rënë në vota në këto zgjedhje, saktësisht për shkak që votuesit e saj ikën te LSDM-ja. Tash, nëse edhe Ali Ahmeti zgjedh të kërkojë azil në LSDM atëherë në këtë mënyrë ai vetëm ua dëshmon atyre 70 mijë shqiptarëve që kishin bërë mirë që kishin ikur te Zaevi disa javë përpara se asaj rruge të shkonte edhe lideri i tyre.

Pastaj, në zgjedhjet tjera, të dëshpëruar, në atë rrugë do të shkojnë edhe votuesit e tjerë që i kishin ngelur BDI-së. Kjo ishte sa i përket kalkulimit brenda korpusit shqiptar. Ali Ahmeti nëse futet në një koalicion me LSDM-në do ta ketë të sigurt që do të humbas keqas në zgjedhjet lokale që do të mbahen në Maqedoni në këtë pranverë. Vlera e aksioneve të tij politike do të pësojë një katastrofë të vërtetë. Sepse ai është dorëzuar si kurrë më parë në jetën e tij.

E ka ulur kokën, si humbës, para atyre që ia morën votat. Ky nuk është gabimi i vetëm. Formimi i një koalicioni në mes të shqiptarëve dhe një partie taktike maqedonase, siç është LSDM-ja, do ta shpinte vendin në territore të panjohura deri më tash. Kjo do të ishte hera e parë që në mënyrë skematike, të pandershme, do të dhunohej vullneti i shumicës së maqedonasve, të cilët kanë vendosur që prapë t’ia japin besimin partisë së Gruevskit. Për këtë të fundit kanë votuar shumë më shumë se sa për Zaevin.

Sigurisht që autori i kësaj kolumne muajt e fundit e kishte një simpati të madhe për LSDM-në, Zaevin dhe Edmond Ademin. Mirëpo, realiteti politik shkon shumë përtej simpative. LSDM, përkundër të gjitha përpjekjeve, përkundër të gjitha skemave, nuk arriti dot të barazohet me rivalin historik. I morën dhjetëra-mijëra vota të shqiptarëve por më kot. Kështu që kjo skemë duhet të mbyllet me kaq. Planet e shkruara në letër nuk duhet të implementohen me çdo kusht.

Ëndrrat e bukura duhet të mbesin vetëm të tilla. Do të këtë prapë zgjedhje. Nëse të gjithë bëhen bashkë tash për ta luftuar Gruevskin, në këtë rast të gjithë shqiptarët, atëherë forca e tij te komuniteti shumicë, maqedonasit, do të shënojë rritje të jashtëzakonshme. Kurdo që do të mbahen zgjedhjet ai do të fitonte bindshëm. Rrëzimi i tij me anë të skemave do të shihet prej maqedonasve si një puç. Do të thyheshin rregullat politike. Ai vetëm do të forcohej.

Gjasat janë që në zgjedhjet tjera, kurdo që ato mbahen, Gruevski të marrë aq shumë vota sa të mos këtë fare nevojë për një partneritet në qeverisje. Kjo çfarë unë po them nuk është që BDI-ja dhe Ahmeti të vrapojnë me vrap në gjirin e Gruevskit. Përkundrazi. Ahmeti duhet ta kapitalizojë këtë momentum për të përfituar për shqiptarët, si partia më e madhe, ndoshta më shumë sesa ka fituar këto 10 vjet. Është momenti kur bëhet dallimi në mes të liderit të vërtetë, prej liderëve që ndikohen nga rrjetet sociale.

Dhe tash po kthehem te pyetja që e kam shtruar në titull: Çfarë do të bëja unë po të isha Ali Ahmeti? Do ta formuloja një draft-marrëveshje, të cilin të parit do t’ia ofroja Gruevskit, si fituesi i këtyre zgjedhjeve. Aty do t’i rendisja kushtet e shqiptarëve. I pari dhe më i rëndësishmi sipas meje, ndonëse simbolik, do të ishte që tash e tutje njëra prej tri pozitave kryesore të shtetit t’i takojnë shqiptarëve. Pikë. Meqë Maqedonia aktualisht ka President, e meqë Kryeministri i takon partisë fituese, atëherë do ta kërkoja pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Kjo do të ishte fitore e madhe simbolike e shqiptarëve.

Do të ishte një ngritje e tyre e jashtëzakonshme. Dhe do të ishte një precedent prej të cilit më nuk do të shmangej askush. Një gjë e tillë bëhet edhe më e fuqishme kur marrëveshja lidhet me partinë që ka fituar më së shumti vota nga komuniteti shumicë, pra nga maqedonasit. Nuk është e njëjtë kjo po të bëhej me LSDM-në. Ata nuk i përfaqësojnë shumicën e qytetarëve. Nuk mund ta gënjejmë veten. Kjo do të ishte e para. E dyta, do të kërkoja që në marrëveshje të caktohej në mënyrë të qartë shkalla e investimeve në rajonet e Republikës së Maqedonisë.

Që të bëhej një fond, ose një plan konkret, për investime në rajone më të pazhvilluara, e që sigurisht janë ato shqiptare. Të mos harrojmë një gjë: Maqedonia, nën Gruevskin, ka shënuar zhvillim të hovshëm ekonomik. Kjo nuk është ndier shumë nga shqiptarët, prandaj duhet të bëhet një ridizajnim. Të mos harrojmë edhe një gjë: Maqedonia, nën udhëheqjen e VMRO-së, dhe BDI-së, e ka njohur Kosovën shtet të pavarur. Maqedonia votoi pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Votoi pro kudo që iu dha mundësia, përkundër presionit të madh të Serbisë.

Unë nuk e di nëse është më antishqiptare VMRO a LSDM, por e di që këto 10 vitet e fundit Maqedonia ka qenë një aleat i yni në arenën ndërkombëtare. Një gjë e tillë është bërë edhe falë angazhimit të BDI-së dhe Ahmetit, por sigurisht edhe me pajtimin e VMRO-së. Detajet nuk i di, por i di punët konkrete. Dua të shtoj edhe një gjë: Sa herë e kaloj kufirin në Han të Elezit, në anën e Maqedonisë policët kufitar më flasin shqip.

Kjo nuk ka qenë më parë. E di edhe një gjë tjetër: në administratën shtetërore të këtij shteti janë punësuar rreth 30 mijë shqiptarë. Shqiptarët atje nuk e kanë më problem shkollimin etj., etj. Fare në fund: Kjo marrëveshje e BDI-së me VMRO-në nuk do të duhej të ishte e vlefshme prej tash e deri në ditën e kiametit. Kjo është një marrëveshje politike, e cila edhe mund të prishet në momentin që nuk përmbushen marrëveshjet. Ose në momentin kur BDI-ja do ta vlerësonte se kursi i VMRO-së nuk është pro Bashkim Evropian, pro NATO. Deri në atë ditë nuk ka pse paragjykohet askush. Marrëveshje duhet të lidhin partitë që fituan shumicën e votave të dy etnive kryesore në Maqedoni.

Pjesa tjetër pastaj është propagandë. Është organizata joqeveritare. Moralizëm i kotë. Ky është një udhëkryq i madh për Ali Ahmetin. Është më i madh se sa në kohën kur e kishte uniformën në trup të tij. Ai nuk duhet të frikësohet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu