A do bëhen veturat “e.GO” të familjes Destani?!

Një projekt i promovuar me pompozitet në zonën e lirë ekonomike në Tetovë, ende nuk p po shihet në horizont.

Heshtje në kompaninë Ecolog të familjes Destani nga Tetova, derisa Qeveria përmes një deklarate nga kryeministri Kovaçevski ka bërë të qartë se nuk ka ndihmë shtetërore nëse nuk ka aktivitete të nisura konkrete.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndihmën shtetërore prej 42.5 milionë euro për investitorin gjerman Next.e.Go Mobile e që në fakt bëhet fjalë për biznesin e filantropit shqiptar Lazim Destani.

Investimi ka të bëj me prodhimin e makinave elektrike e.GO, një investim që kap shumën 130 milionë euro. Kjo e dhënë bëhet e ditur sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës për vitin 2022, shkruan Faktor.

Prodhuesi i makinave elektrike e.GO nuk ka filluar ende ndërtimin aktiv të fabrikës së paralajmëruar në zonën industriale në Tetovë.

Qeveria nuk ka dhënë një pasqyrë të plotë të marrëveshjes, e cila është nënshkruar në gusht të vitit të kaluar, dhe vetëm në mënyrë deklarative është përmendur se ndihma shtetërore për projektin do të jetë 35 për qind e investimit total prej 130 milionë euro dhe se nuk do të ketë përjashtime tatimore për investitorin.

Gurthemeli i fabrikës u vendos më 13 gusht, në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas asaj që u paralajmërua, pritet hapja e 900 vendeve të reja të punës. Makina elektrike “E-Go” do të jetë makina e parë elektrike që do të prodhohet plotësisht në vendin tonë. Kjo fabrikë pritet të prodhojë 30 mijë makina në vit.

Sipas asaj që publikon Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, shteti vitin e kaluar miratoi shuma të mëdha të paparë për ndihmë direkte financiare për investimet e paralajmëruara pas kontratave të lidhura gjatë vitit të kaluar. Vetëm vitin e kaluar qeveria miratoi 140 milionë ndihma direkte financiare për investitorët në zona, kryesisht për ata të industrisë së automobilave.

Për hapjen e fabrikës Kromberg dhe Schubert në zonën industriale në Shkup, investitorido të marrë 19,8 milionë euro, ndërsa i njëjti investitor i huaj do të marrë 12,88 milionë euro të tjera për ciklin e tretë të paralajmëruar të investimeve. Kjo është një total prej 32.68 milionë euro për Kromberg dhe Schubert të miratuara në vetëm një vit.

“Condevo” italiane, e cila vitin e kaluar filloi ndërtimin e fabrikës së re në Shtip, do të marrë 16.750.000 milionë euro, ndërsa Kemet Electronics, e cila vitin e kaluar hapi fabrikën e dytë në Shkup, 11.767.500 euro. 9.920.625 euro janë miratuar për “Technopanel” turk, i cili vitin e kaluar shpalli fabrikën e re për panele izoluese të çatisë. VIC nga Alinci do të marrë 8.050.000 euro për investime shtesë.

“Fabrika për automjete elektrike në zonën në Tetovë në pajtim me marrëveshjen nuk ka marrë asgjë si ndihmë shtetërore dhe nuk do të marrin ndihmë derisa nuk fillojnë me aktivitete”, porositi javë më parë kryeministri Dimitar Kovaçevski, raporton MIA.

“Fabrika E-GO e cila nënshkroi marrëveshje për ndërtimin e fabrikës në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë ka disa kërkesa të caktuara në pjesën e parcelës duke e pasur parasysh mënyrën në të cilën e organizojnë prodhimtarinë dhe prandaj janë bërë ndryshime urbanistike”, kishte theksuar Kovaçevski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve se pse vonon ndërtimi i fabrikës që është një investim i paralajmëruar nga biznesmeni Lazim Destani.

Asgjë nuk kanë marrë si ndihmë shtetërore, shtoi, pasi nuk kanë filluar me punimet ndërtimore, e as me prodhimin testues.

“Ndihmë shtetërore tek ne merret gradualisht dhe lidhet me realizimin e projektit”, potencoi Kovaçevski.

Ndryshe, kompania, nuk gëzon reputacionin e një prodhuesi të rëndësishëm të makinave elektrike në tregun botërorë. Ajo që këtu u shpall si fabrikë e madhe, në faqen e E-go cilësohet si mikro-fabrikë në Maqedoninë e Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu