Prishtina me SHBA-të dhe BE-në në njërën anë, Beogradi me Rusinë në tjetrën: Rreth Kosovës po bëhen lojëra të rrezikshme gjeopolitike!

Përpjekja për të futur ilegalisht një tren nga Serbia në Kosovë, është incident politiko-propagandues, thotë drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq.

“Edhe Prishtina po e bën një luftë psikologjiko-propaganduese për të përforcuar pozicionet e saj”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Janjiq shton se treni ishte i pazakontë e edhe deklaratat e të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që ka thënë se po dërgojnë mesazh me “vlera kulturore”.

“Le të thotë ai: Prishtina po insiston në integritet territorial, e na deshën të tregojmë se kjo nuk po qëndron”, shprehet Janjiq. “Çështja logjike është kjo: ai që qëndron prapa – a është për ndërprerje të dialogut në Bruksel apo të përforcojë pozitën e Beogradit në bisedime”?

Analisti serb e çmon vendimin e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, që të ndalet e të kthehet treni prapa në Beograd.

“Provokimi do t’i jepte alibi Prishtinës ta dërgonte ROSU-në në kufi, që do të ishte me rrezik dhe e dëmshme për Serbinë”, shprehet ai, duke thënë se rreth Kosovës po bëhen lojëra serioze gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Në ato lojëra po merr pjesë Beograd dhe Prishtina. Po, edhe SHBA e BE që janë në anën e Kosovës dhe Rusia në anën e Serbisë. Është lojë e paralajmëruar për incidente në kufi me Serbinë dhe pjesën e Sanxhakut. E njëjta situatë është me Kroacinë dhe Republikën Serbe. Ndaj, çdo veprim i ardhshëm duhet të mendohet dhe arsyetohet”, ka thënë ai. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu