Edhe pas katër muajeve nga rritja e pagave të funksionarëve për 78%, deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë për uljen e tyre, ndërsa punëtorët përmes sindikatave po lusin për rritje të pagave prej 10-20%. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, në SummerClick të TV21, tha se do të parashtrojë amendament me të cilin do të kërkohet që pagat e funksionarëve të kthehen në nivelin që kanë qenë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është shumë e çuditshme se jo vetëm pushteti por edhe opozita e cila ka deputetë dhe kryetarë komunash me paga të rritura prej 78% po heshtin për këtë, por të gjithë kanë përgjegjësi politike, thotë Trendafillov.
“Unë si kryetar i LSM-së do të dorëzoj amendament deri te të gjitha grupet e deputetëve në Kuvend dhe do të kërkoj përkrahje të plotë, për shkak se në të njëjtën periudhë do të duhet të votohet edhe rebalanci i buxhetit që të sigurohen këto mjete financiare për rrogat për të punësuarit në sektorin publik dhe do të kërkoj që të gjithë deputetët, bashkërisht ashtu siç bashkërisht marrin rroga të rritura për 78%, nga 1 shtatori të heqin dorë nga 78% të rrogave të rritura dhe të zgjedhin model nëse koeficienti i kompleksitetit që për momentin e kanë për rrogën minimale, sipas atij modeli të marrin rreth 10-12% rritje të rrogave”, pohoi Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.
E gjithë kjo po ndodh në kushte kur ka të punësuar në sektorin publik rroga e të cilëve është nën minimalen. Trendafillov thotë se është e palejueshme që ata të marrin rrogë nën nivelin dhe me shtesat të arrijnë deri në nivelin e rrogës minimale, ndërsa e gjithë kjo po ndodh me leje të sindikatave nëpër degët.
“Unë nuk e kam të qartë se si me përvojën e tyre në aktivitetet e sindikatave kanë lejuar për shembull që rroga bazë e të punësuarve në një institucion të përllogaritet sipas koeficientit të kompleksitetit dhe vlerës së përllogaritjes prej 13.500 denarëve bruto, 14.500 denarëve bruto dhe të caktojë koeficient prej 1,3 për 14.500 dhe ai i punësuar të marrë rrogë nën minimalen dhe pastaj të marrë një shtesë joserioze për të arritur rrogën minimale vetëm për shkak se ligji parasheh kështu”, pohoi Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.
Trendafillov foli edhe në lidhje me atë që ka më shumë raste të sheshimit të rrogave të të punësuarve të kategorive të ndryshme, për shembull të infermiereve dhe pastruesve, për shkak se marrin rrogë minimale. Andaj, ai tha që nga shtatori me rritjen e rrogave në sektorin publik prej 10% duhet të shfrytëzohet momenti që të bëhet harmonizimi i atyre kategorive që tani janë nën rrogën minimale.