Pendarovski kërkon sanksione për Kasamin e Ganiun. Kasami: Ndihet frika nga opozita e bashkuar, qeveria ditët e numëruara

Presidenti Stevo Pendarovski ka reaguar për shfaqjen e një flamuri “Autoktonous” nga ana e publikut në manifestimin që u mbajt në Tetovë gjatë vizitës së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti si dhe për riemërtimin e rrugës “Brigada e dytë sulmuese maqedonase” në “Adem Demaçi”. Atë kreu i shtetit e quan “theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste” e që sipas tij “promovon ide shoviniste” dhe “paraqet ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike”.

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet.”– deklaroi Stevo Pendarovski, President RMV.

Për të dyja çështjet, Pendarovski shkruan se pret që organet kompetente të ndërmarrin procedurat e parapara me ligj.

Kryetari i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kryetar i Tetovës, Bilall Kasami, përmes një reagimi me shkrim thotë se Qeveria dje nuk ia doli ta fsheh apo kontrollojë frikën nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, e sipas tij, sidomos kur në pah doli fronti opozitar i bashkuar dhe me një përkrahje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“E kuptojmë shqetësimin e Presidentit dhe Qeverisë, të cilës për çudi me përkrahje e reagime i doli krah edhe Beogradi, dhe e dimë se retorika e këtillë politike, nuk ka të bëjë aspak me vizitën e Albin Kurtit, por ka të bëjë me shqetësimin se opozita shqiptare në RMV po bashkohet dhe kësisoj ia numëron ditët kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit.”– deklaroi Bilall Kasami, Kryetari I Lëvizjes Besa.

Qëndrim kërkuan edhe nga kryetar i komunës së Çairit, por nuk morëm asnjë lloj reagimi. Nga ana tjetër, bashkëpartiaku i tij në Lëvizjen Demokratike, Izet Mexhiti, tha se flamuj të “shteteve të mëdha” shihen çdo ditë nga të gjitha palët.

“Unë nuk e kam parë, por ndodh çdo ditë. Nëse shkojmë me atë se çdokush që vendos flamuj Kutleshit, për Maqedoninë e Madhe, Shqipërinë e Madhe, për të tilla çdo ditë do të duhej të burgosnim njerëz. Mendoj se ka kaluar koha kur shqiptarët mbahen nën presion dhe dënime. Edhe shembulli me Demaçin është marrëzi e pastër, ai që mendon të dënojë për Demaçin, duhet të dijë se ai është vlerë europiane, ka marrë çmim “Saharov” nga Parlamenti Europian.”– tha Izet Mexhiti, kryetar LD.

Reagim ka pasur edhe nga Alternativa, kreu i së cilës Afrim Gashi, po ashtu ishte pjesëmarrës në organizimet e lartpërmendura. Nga atje thonë se “narrativi i “Shqipërisë së Madhe” është pasqyrim i frikës së BDI-së për humbjen në zgjedhje, e cila pashmangshmërisht do të pasojë”. Sipas Alternativës Bashkimi i shqiptarëve në dimensionin kulturor e shpirtëror dhe jo në dimensionin territorial është thelbi dhe themeli i vetë BE-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu