Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se “Rruga e re”, e kësaj partie po vjen, duke thënë se atë s’mund ta ndalë askush.
Nëpërmjet një videomesazhi, Abdixhiku tha të dielën në Facebook se Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti po synojnë të arsyetojnë hajni, dhënie të tenderëve për miqtë, frikësimin e gjyqtarëve dhe kapjen.
“Mendojeni për pak. Çfarë po provojnë të arsyetojnë? – Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të. – Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. -Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, ka deklaruar kryetari i partisë opozitare.
Abdixhiku ka përmendur dyshimet për keqpërdorimet me rezervat shtetërore nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Ai shtoi se arroganca e numrave që partia në pushtet i ka “u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të duan”.
“Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij? Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. ‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë”, u shpreh ai.