Një krim i rëndë ka tronditur kryeqytetin shqiptar, ku një 40-vjeçare ka vrarë me thikë motrën e saj ditën e djeshme. Fillimisht familja raportoi për një vdekje natyrale të 37-vjeçares Armanda Pushani, por më pas u zbulua se viktima kishte plagë të shkaktuara me mjet prerës.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se krimi dyshohet se ndodhi për shkak se viktima ishte e alkoolizuar dhe agresive në familje. Dy vajzat jetonin me nënën e tyre në një banesë në rrugën “Hajdar Hidri” në kryeqytet.
Kështu ka deklaruar dhe autorja Marsela Pushani e arrestuar nga policia menjëherë pas krimit.
Në dëshminë e zbardhur nga gazetari Çlemeta për “BalkanWeb” mësohet se ajo ka thënë se ka vepruar për vetëmbrojtje, pasi 37-vjeçarja i kishte kërcënuar se do t’i vriste.
“Veprova në kushtet e vetëmbrojtjes, na kërcënoi se do na vriste. Prej më shumë se 10 vitesh motra Amanda Pushani ishte e alkoolizuar dhe problematike. Debatuam me të që të linte alkoolin, Amanda më kërcënoi mua dhe mamanë”, ka thënë 40-vjeçarja kur është marrë në pyetje nga policia.
Autorja e krimit, 40-vjeçarja Marsela Pushani punonte si mësuese gjuhe në një shkollë në kryeqytet dhe dy vajzat jetonin me nënën e tyre në një banesë.
Ajo dhe ëma kanë deklaruar se viktima Amanda Pushani, e cila ishte e papunë shkonte nëpër markete dhe i kërcënonte shitësit se do iu shkatërronte dyqanin nëse s’i jepnin pije alkoolike.