Operacioni i Grupit të Armatosur që dyshohet se u fut në Kosovë, çfarë informacione ndau Kryeministri Kurti sot

Operacioni i Grupit të Armatosur që dyshohet se u fut në Kosovë, çfarë informacione ndau Kryeministri Kurti sot

Në orët e hershme të mëngjesit një polic i Kosovës ka mbetur i vrarë, një tjetër është plagosur dhe një është lënduar pas një sulmi ndaj tyre në Banjskë të Zveçanit. Po dyshohet se sulmin e ka kryer një Grup i Armatosur i përbërë nga mbi 30 persona që më vonë është strehuar brenda Manastirit të Banjskës dhe shtëpitë përreth. Kryeministri u bëri thirrje atyre të dorëzohen ndërsa nga institucionet tjera si Presidenca u la të kuptohet se bëhet fjalë për persona të armatosur ‘little green men” (sipas skenarit rus në Ukrainë), që kanë sjellë armatim dhe mjete të blinduara brenda territorit të Kosovës.

Situatë të jashtëzakonshme” dhe “ditë të rëndë për vendin”, e ka përshkruar kryeministri Kurti gjendjen në të cilën ndodhet këtë të diel Republika e Kosovës. Vendi u zgjua sot me lajm të kobshëm për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku në krye të detyrës në Veri dhe plagosjen e policit Alban Rashiti. Sulmet ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit, u njoftua, se po vijojnë me armë të llojeve të ndryshme.

“Ka qenë një situatë kur thjesht kanë mundur të pësojnë të gjithë ata policë që kanë qenë aty. Dhe të vritet jo një, por nëntë ose 10 ose 8 meqë nuk e di saktë sa kanë qenë dje në atë vend”.

Kryeministri Kurti publikoi pamje të personave të armatosur, me maska, e uniforma nga vendi i ngjarjes. Ai tha se nën rrethimin e policisë ndodhen rreth 30 persona të cilëve u bëri thirrje disa herë që t’u dorëzohen organeve tona të sigurisë.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtaratë e policë, që janë nën rrethimin e forcave tona dhe i ftoj të dorëzohen. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun dhe kanë plagosur Alban Rashitin”, tha Kurti në konferencën e jashtëzakonshme këtë të diel, transmeton Gazeta Express.

Paraprakisht Policia e Kosovës kishte konfirmuar sulmin që i mori jetën një polici. Në njoftim u tha se gjithçka ka nisur në orët e para të mëngjesit.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar”

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë” shtoi tutje policia.

Sulmin ndaj Policisë së Kosovës, Kurti e quajti “terrorist” ndaj “sigurisë e paqes”.

Edhe zv-drejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i cili ishte i pranishëm në konferencë me Kurtin, u shpreh se sulmet ndaj policisë janë duke vazhduar.

“Momentin që po flasim ka ende shkëmbim zjarri”,
u shpreh Hoti.

Kryeministri Kurti dha detaje të ndryshme për sulmin që e quajti të “orekstruar”, ai tha se autoblinda që shihet në vendin e ngjarjes nuk është e Kosovës.

“Siç shihet përveç xhipave, shihet se kanë edhe një autoblindë aty. Kjo autoblindë nuk është e Kosovës. E vëreni se ka një gjoksore që është tipike e uniformës në vendluftime e këtij personi të uniformuar që nuk e ka as uniformën e një polici të rregullt, po dikujt që është pjesë e njësive speciale ushtarake ose policore. Shihni xhipat pa targa te muri i manastirit. Këtu kemi një person që ka edhe helmetë dhe është duke bartur diçka që nuk është lehtë e identifikueshme”, tha ai.

Ai tha se sulmuesit janë “profesionistë” të ardhur për destabilizimin e Kosovës.

Bëhet fjalë për profesionistë që me maska e uniforma e kalibra të rëndë kanë ardhur ta destabilizojnë territorin e Republikës sonë”, shtoi ai.

Për krejt zhvillimet që ndodhën atje, Kurti konfirmoi se ka qenë në kontakt me ambasadorin amerikan në Kosovë, Hovenier. Përderisa tha se do të kontaktojë edhe me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Szunyog.

“Nuk jam në dijeni pse nuk ka reagu ende BE, por kam qenë në kontakt me ambasadortin Hovenier, do të vendosi kontakt edhe me ambasadorin e BE-së Tomas Szunyog”, tha Kurti, transmeton Gazeta Expresss.

Zonën e Leposaviqit Kurti e përshkroi si territor të madh, e të vështirë për t’u kontrolluar.

Territor shumë i madh, kodrinoro-malor, është vështirë i kontrollueshëm në secilën pikë. Siç e dimë ne kufirin, e di edhe xhandërmëria e Serbisë”

Zëvendësdrejtori i Policisë, Fehmi Hoti, aty foli edhe për mundësinë e prezencës së individëve të grupit Wagner rreth kufirit të Kosovës apo edhe brenda.

Ai tha se deri më tani s’kanë asgjë të faktuar, por se informacionet për këtë janë duke u trajtuar.

“Grupi Wagner – kemi pasë edhe më herët, që individë të grupit Wagner po lëvizin apo edhe mund të lëvizin, apo edhe mund të sulmojmë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo, deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar që kanë qenë pjesëtarët [e Wganer]. Sepse e dini që gjykata i kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Andaj, si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar”.

Në këtë situatë kryeministri Kurti i ftoi të gjithë qytetarët nga të gjitha komunitetet që ta ruajnë qetësinë.

“Qytetarët i ftoj të të gjitha komuniteteve ta ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi duke lejuar institucionet përgjegjëse të sigurisë për të vendosur rend dhe ligj dhe për të sjellur siguri”
, tha ai.

“Krimi i organizuar në mbështetje nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin”, deklaoi ai ndër të tjera.

Deri më tani nuk ka informata të konfirmuara nëse ka mbetur i vrarë edhe ndonjë pjesëtar nga grupi i sulmuesve.

Blerim Vela, Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës disa orë pas sulmit ka reaguar në platformën X. Ai e ka akuzuar Vuçiqin për agresion ndaj Kosovës.

Sipas tij, njerëz me uniforma pa shenja dhe me maska “little green men” (një referencë nga lufta e vitit 2014 me ushtarët rusë që kishin hyrë në Ukrainë duke bartur armatim) kanë hyrë 15 km brenda territorit të Kosovës me automjete të blinduara.

“Burrat e vegjël të gjelbër” të Serbisë me automjete të blinduara janë 15 kilometra brenda territorit të Kosovës (Banjska), ku një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës rezultoi me një polic të vrarë dhe një tjetër të plagosur. Vuçiq i është drejtuar një agresioni të paparë kundër Kosovës. Ai do të dështojë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu