Polici Gerhard Baka, ishte këtë të martë i ftuar në “Good Morning Albanians” për të folur për problemet që has më së tepërmi në qarkullimin rrugor.
Ai tha se është kthyer në një problem shumë shqetësues që të rinjtë ndërsa ngasin makinën futen edhe live në rrejte sociale. Ai madje tha se ka pasur raste ku ata kanë filmuar veten duke ecur me shpejtësi e nga pakujdesia edhe janë aksidentuar.
“Më së shumti është fenomeni i live-it që është kthyer në fenomen shqetësues. Bëjnë live në Tik Tok duke publikuar veten e tyre duke drejtuar mjetin.
Nuk e di çfarë lloj kënaqësie mund të jetë, nuk e kuptoj dot që ti mund të jesh duke drejtuar mjetin në qendër të banuar me trafik dhe ti e mban celularin aty duke filmuar një korskot dhe një rrugë dhe je gjithë kohën i fokusuar. Ecin dhe me shpejtësi.
Ata që mundohen të reklamojnë veten e tyre duke shkelur hapur rregullat e qarkullimit rrugor, është papërgjegjshmëri fare”,-tha polici Gerhard Baka.