Ndihmësi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Raportohet se Sullivan shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen e një polici të Kosovës, i cili vdiq në detyrë gjatë sulmeve të dhunshme që ndodhën më 24 shtator.
Ai shprehu shqetësimin edhe për mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën.
Fuqizimi i KFOR-it
Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe theksoi gatishmërinë e SHBA-së për të punuar me aleatët për të siguruar që KFOR-i të vazhdojë të ketë burime adekuate për të përmbushur misionin e tyre.
Gjithashtu, Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të cilin Sullivan theksoi se është zgjidhja e vetme afatgjatë për të siguruar stabilitet në të gjithë Kosovën.
SHBA kërkon që Serbia të tërheqë forcat e saj
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po monitorojnë “dislokimin shqetësues të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën”, që po destabilizon zonën dhe bëri thirrje për tërheqjen e këtyre forcave, raportoi Reuters.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se numri i forcave paqeruajtëse në Kosovë do të rritet përmes njësive të NATO-s për shkak të rritjes së tensioneve.
Kirby shtoi se u vëzhgua vendosja e artilerisë dhe tankeve të avancuara.
Autoritetet e Kosovës njoftuan se forcat policore luftuan me 30 serbë të armatosur rëndë që sulmuan fshatin Banjska të dielën dhe u barrikaduan në një manastir të Kishës Ortodokse Serbe. Në sulm u vranë tre sulmues dhe një polic.
Kirby tha se sulmi nuk ishte një akt i rastësishëm dhe se sasia e armëve të gjetura nuk ishte vetëm një kërcënim për Kosovën, por edhe për forcat ndërkombëtare, përfshirë trupat e NATO-s.
“Të gjithë ata që janë përfshirë në sulm duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai dhe u bëri thirrje autoriteteve serbe që të ndihmojnë në hetim.
Kirby e quajti “dislokimin e madh të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën” një zhvillim destabilizuese dhe i bëri thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve.