Sullivan shpreh shqetësimin për mobilizim serb në kufirin me Kosovën, thekson rëndësinë e dialogut

Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan shprehu të premten në një telefonatë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën.”

Sipas një njoftimi për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, zoti Sullivan “përcolli ngushëllimet për humbjen e jetës së policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të 24 shtatorit”

Telefonata me kryeministrin Kurti u bë në të njëjtën ditë kur zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.

“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes,” shtoi ai.

Në bisedën me kryeministrin Kurti, zoti Sullivan përmendi vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët në mënyrë që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.

“Zoti Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që zoti Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si inkurajuese bisedën me këshilltarin Sullivan.

“E falënderova atë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sigurinë kufitare të Kosovës dhe i kërkova ndihmë të shtuar kundër planeve luftarake të Serbisë. E sigurova zotin Sullivan për bashkëpunimin e vazhdueshëm të policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, shkroi kryeministri Kurti.

Ndërkohë po të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pati një bisedë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit”.

Zoti Blinken tha se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu