Ultimatumet perëndimore, dorëzohet Vuçiç

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë që të pezullojë aktivitetet ushtarake pranë kufirit me Kosovën, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se nuk kishte ndërmend të urdhëronte ushtrinë të kalonte kufirin me Kosovën, duke shtuar se do të tërheqë forcat nga aty.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se BE-ja është shumë e shqetësuar për forcimin e pranisë së ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

“Nuk ka vend në kontinentin evropian për të forcuar armatimet dhe forcat e sigurisë. Forcat duhet të tërhiqen”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e saj situatën aktuale në veri të Kosovës, e cila mbi të gjitha kërkon deeskalim dhe stabilizim të situatës së sigurisë.

“Zbulimi i javës së kaluar i armëve dhe pajisjeve ushtarake është shumë serioz,” tha Borrell.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan Serbisë një ultimatum për të tërhequr ushtrinë, artilerinë dhe tanket e saj.

Shtëpia e Bardhë tha se janë duke monitoruar lëvizjet e mëdha të ushtrisë serbe drejt kufirit me Kosovën, duke përfshirë grumbullimin e artilerisë së avancuar dhe tankeve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se numri i forcave paqeruajtëse në Kosovë do të rritet përmes njësive të NATO-s për shkak të rritjes së tensioneve.

Kirby shtoi se u vëzhgua vendosja e artilerisë dhe tankeve të avancuara.

Gjithashtu, ndihmësi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sullivan shprehu shqetësimin për mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën.

Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe theksoi gatishmërinë e SHBA-së për të punuar me aleatët për të siguruar që KFOR-i të vazhdojë të ketë burime adekuate për të përmbushur misionin e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu