Basha përdor Vangjel Dulen dhe lidhjet e tij e Janullatosit, për të vendosur kontakte me Trump

“Me ardhjen e presidentit Trump nis një erë e re, jo vetëm për Amerikën por edhe për Shqipërinë”. Shprehja Lulzim Bashës, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump, thotë gjithçka për shpresën e re të opozitës.

Me një president amerikan të kritikuar direkt nga kryeministri shqiptar gjatë fushatës elektorale, demokratët nuk i fshehin shpresat se rrjedha politike mund të ndryshojë edhe në Shqipëri.

Me raporte problematike me ambasadën në Tiranë, sidomos për shkak të debateve gjatë reformës në drejtësi, Lulzim Basha ka nisur që tani të kërkojë ndihmë nga republikanët në Senat dhe në Kongres, që Shtetet e Bashkuara ta mbështesin Shqipërinë për zgjedhje të lira e të ndershme, por Top Channel mund të konfirmojë përpjekjet prapa kuintave për kontakte me njerëz të afërt me presidentin Trump.

Dhe këtu atij mund t’i vijë në ndihmë aleati i tij më i ri politik në Tiranë. Vangjel Dule ndodhet gjithashtu në Uashington, ku komuniteti greko-amerikan ka organizuar një darkë në nder të anëtarëve të këtij komuniteti, që janë emëruar në poste të larta drejtuese në Shtëpinë e Bardhë.

Njëri prej tyre është më i rëndësishmi, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rains Pribus. Njeriu që kontrollon aksesin tek zyra Ovale e presidentit Trump dhe e ndihmon për politikat prioritare është me origjinë gjysmë greke. Nëna e tij, Dhimitra, e ka rritur atë si ortodoks. Shefi i protokollit të selisë presidenciale është gjithashtu anëtar i komunitetit greko-amerikan.

Dule, i cili njihet si i afërt me kryepeshkopin Anastas, mësohet se ka shkuar në Uashington jo vetëm me bekimin e tij, por edhe me influencën dhe respektin që ai gëzon në Kishën Ortodokse Greke të Amerikës, drejtuesi i të cilës ishte në rresht të parë në Capitol Hill të premten gjatë betimit të Trump.

Ashtu si opozita e majtë priti me entuziazëm mbërritjen e Barack Obamës në Shtëpinë e Bardhë, edhe opozita e djathtë duket se po investon diçka, në pritje të një dite të bardhë, pak muaj para zgjedhjeve të qershorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu