Talat Xhaferi, BDI-ja dhe ASH-ja po e shpëtojnë Prokurorin e Përgjithshëm Lubomir Joveski nga interpelanca dhe përgjegjësia për rolin e tij në devijimin e procesit gjyqësor lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë. Kështë akuzon fronti opozitar, i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike.
Tri partitë opozitare parashtruan interpelancë ndaj Joveskit më 14 shtator, por në kundërshtim me afatet e Rregullores së Kuvendit, interpelanca ndaj Joveskit nuk u vendos në rend dite në seancë parlamentare.
“Kjo na bën të dyshojmë se ka diçka mes tij dhe Lubomir Joveski, e që mund të ketë lidhje me ndonjë aferë korruptive, që kryetari i Kuvendit e mbron Kryeprokurorin edhe duke e shkelur Rregulloren e Kuvendit të RMV-së. Se me çfarë e mban të kapur Prokurori i Përgjithshëm kryetarin e Kuvendit ose dikë nga partia e tij, këtë duhet ta shpjegojnë ata, por se z. Xhaferi po e mbron Lubomir Joveskin, që në opinion shihet si fajtori kryesor për devijimin e procesit gjyqësor të spitalit modular në Tetovë, për këtë nuk më ka asnjë dyshim”, tha deputetja e opozitës, Safije Sadiki Shahini.
Opozita thotë gjithashtu se edhe BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët dhe deputetët e tyre, me mosmbështetjen e interpelancës hapin dilemat nëse mbrojnë interesin e viktimave të Spitalit Modular të Tetovës apo interesin e kryeprokurorit Joveski.
“E kur jemi këtu nuk mund të mos theksojmë se, për fat të keq, as deputetët e Aleancës për Shqiptarët, si edhe ata të BDI-së, nuk u prononcuan për këtë interpelancë, madje edhe pas thirrjes sonë publike për të na mbështetur. Kjo përveç që i vë në bankën e fajtorëve, sepse po e mbrojnë një funksionar që ka frikë të përballet me deputetët që e kanë votuar, edhe kur emri i tij lakohet për abuzim me detyrën, këta deputetë lënë shumë hapësirë për dyshim se edhe ata ose krerët e partive të tyre janë të kapur në sirtarët e Joveskit. Çfarë i pengon deputetët e BDI-së dhe të ASH-së që të japin mbështetje për interpelancën ndaj Prokurorit Publik nëse në anën tjetër janë 14 viktima të djegura në zjarr dhe asnjë fajtor nuk është në burg? Me kë janë ata, me viktimat e djegura apo me Kryeprokurorin?”, tha deputetja Sadiki Shahini.
Opozita e bashkuar thotë se opinioni duhet ta dijë saktë dhe drejt se “argatë të Lubomir Joveskit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë Talat Xhaferi bashkë me deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët”. Sipas tyre, ata janë emrat e përveçëm që nuk lejojnë të zbardhet e vërteta e djegies së 14 pacientëve në spitalin modular në Tetovë.