Opozitarët e rrejshëm që të gjithë e kanë shijuar nga pak pushtetin me LSDM-në, por edhe VMRO-DPMNE-në, Bilall Kasami, Izet Mexhit dhe Afrim Gashi me kushtëzimin e tyre ndaj ndryshimeve kushtetuese po rreshtohen në krahun e opozitares VMRO-DPMNE, dhe me këtë në anën e atyre që pengojnë rrugëtimin euro-atlantik të vendi, thonë analistë politik për portalin Politiko.mk
Sipas tyre do të jetë vonë për opozitën shqiptare kur do ta kuptojë kurthin e partisë së Hristijan Mickoskit që në këtë momente delikate po rrënojnë bashkë me të, të ardhmen europiane të vendit.
“E vetmja gjë që i lidh VMRO-DPMNE me ndonjë parti shqiptare është vetëm një koalicion i rrejshëm sa për dukje, sepse anti-shqiptarizmi i tyre i shprehur haptazi është treguesi i çdo gjëje. Partitë opozitare BESA, Alternativa dhe LD-ja e Mexhitit do të paguajnë çmim të madh si pasojë e të qenit në një front me partinë e Mickoskit. Ne kemi nevojë për opozitë të fuqishme që lufton për kauzën shqiptare, për kursin pro-europian dhe pro-amerikan, ashtu siç bënë BDI dhe Ali Ahmeti ndër-vite, dhe jo për opozitë shqiptare që është zëdhënëse e partive maqedonase. Koha është tani të ndahen rrugët e partive pro evropiane dhe atyre që janë kundër integrimeve që kushtëzojnë me ndryshimet kushtetuese për të ardhur në pushtet si puro maqedonas në dëm të të tjerëve. Do jetë vonë për opozitën shqiptare kur do ta kuptojë kurthin e partisë së Mickoskit që në këtë momente delikate po rrënon të ardhmen e vendit”, shprehet në prononcim për Politiko.mk, analisti politik Urim Saliu.
Në anën tjetër, ish-deputeti dhe ish-kandidati për President të Maqedonisë së Veriut, Zudi Xhelili thotë se të jesh kundër ndryshimeve kushtetuese, me këtë edhe kundër rrugëtimit eurointegrues të vendit është çmenduri.
“Disa veprime të opozitës shqiptare kanë filluar të jenë brengosëse, aspak nuk u intereson e ardhmja e vendit, nuk u intereson fati i qytetarëve por vetëm interesi i tyre grupor apo partiak. Të jesh kundër ndryshimeve kushtetuese, kundër çdo veprimi pozitiv për të dal nga një problem shumë vjeçare, është çmenduri. Të mbash peng një popull, të shpifet dhe të mbrohen interesa të huaja është tmerr. Besoj kjo nuk do tu ecë ashtu sepse bëhet fjalë për fatin e të gjithë neve. Ka vende ku mund ti shfaqin inatet e tyre, në rastin e ndryshimeve kushtetuese duhet unitet”, thotë për Politiko.mk, Zudi Xhelili – ish deputet.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për Tv Sitel ka deklaruar se të gjithë faktorët relevant që kanë kurs pro-evropian dhe pro-amerikan duhet të mblidhen në një front të përbashkët.
Kovaçevski thekson se një nga proceset kyçe që po ndodh aktualisht është bashkimi në Evropë.
“Nëse do të jemi pjesë e tij, nëse do të jemi të parët, siç dëshiroj unë, kjo tani varet nga ne, varet nga vendosmëria, nga vizioni i politikanëve në parlamentin tonë për të siguruar një të ardhme evropiane për qytetarët. Mjaftoi që qytetarët tanë me pasaporta të huaja të shkonin të punonin në Francë, Gjermani, tashmë kanë filluar në Sllovaki, Çeki, Poloni, gjë që ishte e paimagjinueshme që qytetarët tanë të shkonin vetëm sepse atje ka një standard më të lartë. Dhe pse ka? Sepse ndryshimi i vetëm është se janë vende anëtare të BE-së dhe se pas hyrjes kanë paga tre herë më të larta, treg prej gjysmë miliardë banorësh dhe kanë një standard jetese që po rritet për shkak të kësaj”, deklaroi Kryeministri Kovaçevski, përcjell Politiko.mk
Ai foli edhe për procesin e realizimit të ndryshimeve kushtetuese, në lidhje me kërkesën e opozitës shqiptare për të fshirë formulimin që i referohet “gjuhës që flasin 20 për qind e qytetarëve”.
“Blloku shqiptar i partive politike opozitare, në fakt duhet të mendojë nëse dëshiron të jetë pjesë e një koalicioni anti-BE kur flet për koalicion me VMRO-DPMNE-në. Sepse, kur shikoj pikëpamjet politike të VMRO-DPMNE-së dhe pikëpamjet politike të opozitës shqiptare, aktualisht e vetmja gjë për të cilën ata qëndrojnë është kundërshtimi i BE-së. Dhe kjo është mirë sepse mendoj se të gjitha partitë politike, nuk do të dalloja maqedonase, shqiptare apo vllahe e kështu me radhë, sepse mendoj se të gjitha partitë politike në vend u përkasin qytetarëve”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.