Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ndodhet në Spanjë. Në Granada po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian.
Kreu i qeverisë ka folur për mediet lidhur me situatën e tensionuar në Kosovë, të cilën e cilëson si shumë të rrezikshme.
Sipas tij, BE duhet të kishte dënuar nderimin e terroristëve që vranë policin Afrim Bunjaku, nga ana e Serbisë.
Më tej, Rama theksoi se duhet të merren masa para se të jetë vonë.
“Jam shumë i shqetësuar dhe jemi të gjithë shumë të shqetësuar. Është një situata shumë e rrezikshme. Jemi në një pikë që rreziku potencial rritet nga viti në vit. Aktiviteti kriminal në atë pjesë, ku jeton kryesisht minoriteti serb, janë tashmë të përputhur me axhendën politike dhe nacionalizmin.
Për herë të parë në 10 vitet e fundit Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të BE pikërisht për këtë. Ne kemi qenë gjithnjë në dakordësi të plotë me BE-në dhe SHBA për domosdoshmërinë që autoritetet e Kosovës të jenë më kontruktive në dialog dhe në perspektiven time të përfitojnë dhe të arrijnë një marrëveshje të mirë. Por në të njëjtën kohë fakti që Serbia shpall Ditë Zie Kombëtare për të nderuar ata kriminalet paramilitarë që vranë një polic do të ishte e mjaftueshme për Bashkimin Evropian që të reagonte ashpër dhe të thoshte që kjo nuk është evropian, por është e ndëshkueshme.
Luftë është fjalë e madhe por para se të jetë tepër vonë, masa duhen marrë. Ne po e ndjekim situatën ngushtë dhe e rëndësishme është që ka një vullnet të mirë. Është gjë e mirë që NATO ka shtuar prezencën KFOR-in në Veri sepse kufiri atje është bërë shumë poroz dhe transparent dhe çdo lloj arme kalon, dhe aktiviteti e trafiku ndodh”, është shprehur Rama.