Komandanti i KFOR-it: Situata është e paqëndrueshme, mund të përshkallëzohet lehtë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, ka thënë të premten se së shpejti në Kosovë do të arrijnë trupa shtesë nga Rumania, përveç përforcimeve të fundit të Britanisë së Madhe. Ai ka paralajmëruar përforcime edhe nga “vendet e tjera aleate”. Në një konferencë lamtumirëse për mediat në Prishtinë, teksa e kryen mandatin e tij Ristuccia tha se rritja e numrit të trupave në Kosovë është e domosdoshme, në mënyrë që KFOR-i të mund ta përmbushë mandatin që ka. Komandanti në shkuarje i KFOR-it ka thënë se situata tani në Kosovë është më e qetë sesa ditëve të fundit, mirëpo “nëse palët nuk ulen për ta negociuar një zgjidhje politike, kjo situatë do të jetë më e cenueshme dhe më e paqëndrueshme sesa ajo paraprake”.

“Të gjitha ngjarjet konfirmuan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet. Në dritën e zhvillimeve të fundit KFOR-i, ka rritur praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për të adresuar situatën. Trupat janë tërhequr nga rezervat strategjike të NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos trupa shtesë dhe zbatimi i mëtejshëm do të vazhdojë së shpejti edhe nga aleatët e tjerë, duke përfshirë Rumaninë”, deklaroi Angelo Ristuccia, komandant i KFOR-it.

Ai ka rikujtuar se KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e zonës kufitare të Kosovës me Serbinë dhe ka forca të angazhuar përreth saj, mirëpo që tereni problematik kryesisht malor lë hapësirë për qarkullime të shumëfishta. I pyetur se si ka arritur të hyjë në Kosovë gjithë sasia e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës, komandanti i KFOR-it ka thënë se ende janë duke u bërë hetime, mirëpo marrë parasysh sasinë dhe llojin, dihet që qëllimi i sulmit ka qenë destabilizimi.

“Një hetim është ende në proces për Banjskën. Është shumë herët të thuhet se nga janë futur këto armë në Kosovë. Sigurisht që terreni këtu është kompleks, nuk është aq e lehtë të kontrollosh të gjithë terrenin dhe të gjithë vijën kufitare, por ne po bëjmë maksimumin”, tha Angelo Ristuccia, komandant i KFOR-it .

KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu