Terroristi Milan Radoiçiç, një “sheik” me prona e biznese që i shërben Vuçiçit gjoja në emër të interesave të serbëve në Kosovë

Pesë kompani, ambiente biznesi, një hotel në Kopaonik, një vilë në një pjesë elitare të Beogradit – e gjithë kjo në Serbi është në pronësi zyrtare të Millan Radoiçiçit, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë. Radoiçiç, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, e ndan pronësinë e asaj prone me biznesmenin Zvonko Vesellinoviq nga veriu i Kosovës dhe vëllain e tij Zharkon. Kompanitë që operojnë nga ta fituan mbi 24.5 milionë euro vetëm në vitin 2022, sipas raporteve financiare të analizuara nga REL.

Janë lidhur kontrata të vlefshme me shtetin- me qytetet në Serbi dhe ndërmarrje të ndryshme publike. Vetëm tri ditë pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës, kompania e tyre mori përsipër edhe ndërtimin e një ure në afërsi të Kralevës, në vlerë të rreth një milion euro.

Qeveria e Serbisë dhe ministria kompetente deri në publikimin e tekstit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se mbi çfarë baze kompanitë e Radoiçiqit dhe vëllezërve Vesellinoviç fituan tenderët. Nuk ka përgjigje as në pyetjen nëse ndërpritet bashkëpunimi me shtetin pasi Radoiçiçi u identifikua si organizator i sulmit në Banjska.

Kompanitë në pronësi të Vesellinoviçit dhe Radoiçiçit nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me operacionet dhe asetet. Edhe para sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, i cili u cilësua si akt terrorist në Prishtinë, autoritetet kosovare e lidhën Millan Radoiçiçin me aktivitete kriminale. Për krimin në Kosovë ndërlidhet edhe Zvonko Vesellinoviçi. Por Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve të Kosovës. Sulmi në Banjskë nuk trajtohet si terrorizëm dhe Radoiçiqi nuk akuzohet për vrasjen e policit Afrim Bunjaku në procedurë para Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

Ndër krimet e dyshuara janë shkaktimi i rrezikut publik dhe mbajtja pa leje e armëve. Beogradi zyrtar ka vendosur edhe të mos i zbatojë sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe ndaj Radoiçiçit dhe Vesellinoviçit, sepse për këtë nuk ka detyrime ndërkombëtare. Ata u futën në listën e zezë të SHBA në dhjetor 2021 për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion. Millan Radoiçiç, së bashku me Zvonkon dhe Zharko Vesellinoviçin, zyrtarisht është regjistruar me emrin e tij si pronar i një kompanie – “Inkop” nga Quprija në Serbinë qendrore.

“Inkop” si kompani amë, zotëron edhe katër kompani tjera që zhvillojnë aktiviteteve të ndryshme – nga ndërtimi, menaxhimi i hoteleve, deri te trafiku. Pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e këtyre pesë kompanive kapin vlerën e së paku 38 milionë eurove, sipas raporteve financiare për vitin 2022, të disponueshme në faqen e internetit të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

“Inkop” fitoi rreth 17.4 milionë euro në vitin 2022. Në atë kompani, Millan Radoiçiç dhe Zvonko Vesellinoviç kanë secili nga 40 për qind, ndërsa Zharko Vesellinoviç ka 20 për qind. Sipas raporteve financiare të analizuara nga REL-i, pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e “Inkop”-it vitin e kaluar kapin vlerën e rreth 10 milionë eurove. Ajo kompani së bashku me pronarët e saj është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, meqenëse nuk janë të detyrueshme për Serbinë, “Inkop” funksionon pa pengesa. Ndër projektet e hulumtuara më parë nga REL-i, dallohet ndërtimi i rrugës nga Pozharevaci në Golupec në lindje të Serbisë.

Aty, në shkurt të vitit 2022, shteti dha pëlqimin që kompania “Inkop” të ishte një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze “Shandong”, për të cilën REL ka shkruar më parë. Muret e larta, kamerat dhe rojet e sigurisë fshehin një vilë prej gati 500 metrash katrorë në një zonë elitare të Beogradit nga sytë e publikut. Një vilë me pishinë dhe një truall me 15 ari pranë stadiumit të futbollit Cërvena Zvezda janë në pronësi të kompanisë “Inkop”. Çmimi mesatar për metër katror për shtëpitë në atë komunë të Beogradit është rreth katër mijë euro, bazuar në të dhënat e Agjencisë për patundshmëri për vitin 2023.

Kjo do të thotë se vila në pronësi të Radoiçiqit dhe vëllezërve Vesellinoviq do të kushtonte së paku dy milionë euro në treg. Tri ditë pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, kompania “Novi Pazar-put”, pronarët përfundimtarë të së cilës janë Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq, kanë marrë një punë nga shteti. Kompania publike “Putevi Srbije”(Rrugët e Serbisë) më 27 shtator ia besoi asaj ndërmarrjeje ndërtimin e urës në Adrane afër Kralevës, me vlerë rreth një milion euro. REL-i pyeti kompaninë publike “Putevi Srbije”pse ia besoi punën kompanisë “Novi Pazar-put” dhe nëse vendimi është rishqyrtuar pas sulmit të armatosur në Banjskë të organizuar nga Radoiçiqi. Ata u përgjigjën se Ligji për Prokurimin Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënie të kontratës” në atë rast.

Ata shprehen gjithashtu se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimet publike”. “Novi Pazar-put” është në pronësi të “Inkop”-it, gjegjësisht Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit, që nga janari i vitit 2020. Edhe ajo kompani është nën sanksionet amerikane porse merr kontrata nga shteti i Serbisë. Ajo mori kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në disa qytete dhe komuna në Serbinë jugperëndimore.

Vitin e kaluar, në vitin 2022, fitimet e kompanisë ishin rreth 6.5 milionë euro. Pasuria e saj kap vlerën e 10.6 milionë eurove. Sipas dokumenteve të analizuara më parë nga REL-i, “Novi Pazar-put” u shfaq edhe si nënkontraktues për punimet në autostradën e shpejtë nga Iverk në Llajkovac në Serbinë qendrore, e cila po ndërtohet nga Shandong e Kinës.

Hoteli luksoz në Kopaonik funksionon pa licencë

Në qendër të Kopaonikut, resortit më të madh të skiimit në Serbi, në fund të një prej pistave, tërheq vëmendjen logoja e një ujku të zi në një prej hoteleve. Hoteli në fjalë është “Grey”, i cilësuar në faqen e internetit si “i pajisur në mënyrë luksoze, me pesë yje”, me dhjetëra dhoma dhe suita, një pishinë, një qendër SPA dhe një restorant. Pronar i objektit dhe parcelës me 25 ari është kompania “DollyBell” me seli në Beograd – e cila po ashtu ka për kompani amë “Inkop”-in.

Kjo do të thotë se pronarët e vërtetë të hotelit janë Millan Radoiçiç dhe vëllezërit Vesellinoviç. Kompania që menaxhon hotelin në Kopaonik, sipas raporteve financiare për vitin 2022, ka asete me vlerë rreth 16 milionë euro – në pasuri të paluajtshme dhe pajisje. Raporti tregon, gjithashtu, se kompania ka raportuar një humbje prej rreth 700 mijë eurosh vitin e kaluar. Në fotot e hotel “Grey” shihet se ndërtesa është e lartë disa kate dhe se ka pasur mbindërtime.

Domethënë, në të dhënat kadastrale të disponueshme publikisht, thuhet se sipërfaqja e objektit “nuk është e regjistruar”, dhe se nuk ka leje për shfrytëzim. Sipas ligjit, hoteli nuk do të mund të funksiononte pa një leje përdorimi. Megjithatë, hoteli funksionon që nga janari 2016, sipas raporteve të mediave nga hapja zyrtare, si dhe fotove nga profili i hotelit në Instagram. As kompania “DollyBell”, as Ministria e Ndërtimit, deri në publikimin e tekstit, nuk janë përgjigjur për REL-in se si funksionon hoteli pa leje përdorimi.

Hoteli ka edhe një tarracë, e cila sipas fotografive dhe pamjeve satelitore të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, ndodhet në tokë shtetërore. Nga raportet financiare të kompanisë që drejton hotelin, REL-i nuk ka mundur të përcaktojë nëse e paguajnë qiranë shtetërore për tokën për tarracën e hotelit dhe sa. As nga “DollyBell” nuk i janë përgjigjur as asaj pyetjeje dhe as si reagojnë ndaj akuzave të autoriteteve kosovare për qëndrimin në hotel të grupit të armatosur të organizuar nga Radoiçiqi.

Autoritetet e Kosovës pohojnë se Radoiçiqi dhe një grup i armatosur kanë shfrytëzuar hotelin “Grey” para sulmit në Banjskë dhe si dëshmi të këtij pretendimi kanë publikuar pamjet nga një dron, i cili dyshohet se është sekuestruar në një operacion policor. Në atë kohë, Kosova publikoi gjithashtu pretendime se Radoiçiqi përdorte objektet e Ushtrisë Serbe për trajnimin e sulmuesve, të cilat autoritetet në Beograd i mohuan.

“Ajo që Radoiçiqi bën në pronën private nuk është punë e Forcave të Armatosura të Serbisë”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsilloviç, më 2 tetor. Restoranti “Grey” në qendër të Mitrovicës së Veriut në Kosovë ndan të njëjtin emër dhe logon e ujkut të zi me hotelin në Kopaonik. Ai restorant është i regjistruar në regjistrin tregtar të Serbisë, si pronë e Ema Radoiçiqit, gruas së Millan Radoiçiçit.

Restoranti “Grey” në Mitrovicën e Veriut është kontrolluar nga policia e Kosovës në ditët pas sulmit të armatosur në Banjskë. Në atë aksion të policisë së Kosovës është kontrolluar edhe vila e Radoiçiçit në liqenin e Ujmanit, e cila më pas është sekuestruar nga autoritetet. Ministri i Policisë së Kosovës Xhelal Sveçla, së bashku me pamjet e vilës, ka deklaruar në Facebook se “nën petkun e mbrojtësve”, Radoiçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë. Konfiskimin e asaj pasurie e ka komentuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Ai ka vlerësuar se Radoiçiçi “gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të tij” dhe se “e ka ditur se do t’i vidhet prona në Kosovë”. “Ata mendojnë se e kritikuan atë me atë pasuri. Ai tregoi se – e shihni, ajo pasuri nuk do të thotë asgjë për mua, nëse familja ime dhe populli im nuk kanë liri”, tha Vuçiq në televizionin Happy më 2 tetor. Presidenti serb e cilësoi si “pafytyrësi” synimin e autoriteteve të Kosovës për ta kthyer vilën e Radoiçiqit në Ujman në stacion policor të lumit. Vitet e fundit, Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq kanë marrë nën kontroll edhe dy kompani të tjera shtetërore të falimentuara në Serbi. Njëra është “Betonjerka Aleksinac”, një kompani dikur e mbi-borxhuar nga jugu i Serbisë, të cilën kompania e tyre “Inkop” e bleu në tetor të vitit 2019.

E me pronarët e rinj, gjatë viteve në vijim, “Betonjerka” lidh kontrata të majme me shtetin dhe të ardhurat e kompanisë filluan të rriten. Kjo kompani është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së nga dhjetori 2021. Vitin e kaluar, 2022, “Betonjerka” e mbylli me fitim mbi 750 mijë euro. Pasuria e saj kap vlerën e 1.3 milion eurove. “Betonjerka” ishte në grupin e kompanive që kontraktuan punë bashkërisht me kompaninë shtetërore “Elektrodistribucija Srbije”, tregon analiza e REL-it. Puna e tyre e fundit është ajo e marrë në fillim të shtatorit 2023 – ndërtimi i shtyllave për linjat e energjisë elektrike në vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

Në dhjetor 2022, “Inkop” bleu edhe kompaninë shtetërore “Velmortrans-plus” nga Quprija. Ishte një kompani e trafikut urban që përfundoi në falimentim dhe “Inkop” e bleu për rreth gjysmë milioni euro, pra gjysmën e vlerës së parashikuar. Kështu Radoiçiçi dhe vëllezërit Vesellinoviç u bënë pronarë të aseteve të çmuara të kompanisë pranë autostradës Beograd-Nish, ndër të cilat janë stacioni i autobusëve në qytetin e Quprisë dhe më shumë se dy hektarë tokë.

Në publikun serb, Radoiçiç dhe Vesellinoviç prezantohen si partnerë biznesi, biznesmenë me origjinë nga Kosova. Deri në sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës, Radoiçiçi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve nga Kosova, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kur ai e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në një letër publike më 29 shtator, ai gjithashtu njoftoi se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe. Edhe para kësaj, Radoiçiç ishte në arrati nga autoritetet e Kosovës, por për shkak të akuzave për korrupsion.

Ministri i Policisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si një nga drejtuesit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Prokuroria e Kosovës i lidh Vesellinoviçin dhe Radoiçiçin me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç. Ata përmendeshin si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk u ngrit asnjë akuzë pasi në atë moment ishin në arrati. Ligji i Kosovës nuk lejon ngritjen e aktakuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar më parë.

Lista Serbe i hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj Radoiçiqit, ndërsa Radoiçiçi foli edhe për rastin Ivanoviç, duke thënë se ai “nuk ishte miku më i ngushtë” i Oliver Ivanoviçit, por se ai “nuk ishte vrasës” dhe “nuk kishte lidhje me vrasjen” e politikanit. Në dhjetor të vitit 2021, duke komentuar vendimin e SHBA-së për listën e zezë të Radoiçiqit dhe Vesellinoviçit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka nëse ka “disa akuza serioze”. Në muajt pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk mësoi nëse akuzat ishin hetuar dhe as Qeveria dhe Presidenca nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje Radios Evropa e Lirë. Millan Radoiçiç u shfaq në tubime zyrtare, përkrah Aleksandër Vuçiqit.

Në raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilin shpjegohen sanksionet, thuhet se Zvonko Vesellinoviç është lider i një grupi të organizuar kriminal, se Radoiçiçi është zëvendësi i tij dhe se ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti. Sipas raportit, grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandën e narkotikëve, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në skemën korruptive përmenden edhe politikanët, të cilët Vesellinoviçi dyshohet se i ka ndihmuar në fushatën zgjedhore dhe në këmbim do ta “shpërblejnë me kontratat më të mira të infrastrukturës”.

Nuk specifikohet për cilët politikanë bëhet fjalë. Krahas SHBA-së, Radoiçiçi dhe Vesellinoviçi janë nën sanksione edhe nga Britania e Madhe nga viti 2022 për shkak të dyshimeve për korrupsion. Ndërkohë që nuk ka pasoja në Serbi, sanksionet janë ligjërisht të detyrueshme për kompanitë dhe qytetarët amerikanë dhe britanikë, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me persona nga lista e zezë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu