Pollozhani: Heshtja e LSDM-së tregon se nuk është në gjendje ta tejkalojë mentalitetin hegjemon duke i pranuar shqiptarët si të barabartë

Drita në tunelin politik në të cilën është ngatërruar Maqedonia po bëhet gjithnjë e më e zbehtë. Partitë shqiptare dhe VMRO-DPMNE kanë bërë publike qëndrimet e tyre, kurse në vend se ti inkurajojë rezultati zgjedhorë që të jenë edhe më të zëshëm, LSDM si duket nuk është aq e zëshme sa ishte gjatë periudhës parazgjedhore.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në periudhën parazgjedhore ishte i mendimit se tani është momenti kur duhet biseduar për temën e gjuhës dhe për të gjitha temat tjera që kanë të bëjnë me të dy etnitë më të mëdha në vend, edhe atë siç potenconte ai, pa paragjykime.

Kryetari i shoqatës së të burgosurve politik shqiptar në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani konsideron se kjo heshtje e liderit të LSDM-së është një heshtje taktike edhe pse strategjia e LSDM-së veçmë dihet.

Sipas tij LSDM e ka ndrruar fjalorin ndaj shqiptarëve por nuk e ka ndërruar mentalitetin hegjemonist për një shtet unitarë.

“Ështe një heshtje taktike. Strategjia e LSDM dihet. Marrja e pushteti me çdo kusht. Çdo deklaratë pro Platformës në këte fazë të zhvillimeve politike nuk do të shkonte në dobi të tyre por në dobi të VMRO-së, e cila është nihiliste ndaj kerkesave të shqiptarëve. LSDM e ka ndryshuar fjalorin sa u perket shqiptarëve, por ama nuk e ka ndërruar mentalitetin hegjemonist për një shtet unitarist, ku shqiptarët edhe me tutje do te emërtohen si njëzet përqindësh”, ka deklaruar Pollozhani duke shtuar se LSDM me këtë heshtje dëshmon se ende nuk është e gatshme që t’i pranoj shqiptarët si të barabartë.

“Me këtë heshtje LSDM tregon se nuk është në gjendje ta tejkaloje mentalitetin hegjemon duke i pranuar shqiptarët si të barabartë. Për të dhënë një konkluzion të saktë duhet të presim përfundimin e bisedave VMRO-BDI”, ka deklaruar për Zhurnal Kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani.

Ndryshe, LSDM fitoi besimin e një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve, ata fituan 14 deputet më shumë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, por humbën shumë nga ajo vendosshmëri që kishin para zgjedhjeve. Gati dy javë pas publikimit të paltformës së përbashkët të shqiptarëve LSDM ende mbetet në qëndrimit se do të prononcohet kur ta merr mandatin.

Por çfarë nëse nuk e merr mandatin? Si do ti bind Zaev më shumë se 60 mijë shqiptarë se nuk i ka pre në besë! Si do të del para tyre në zgjedhjet lokale? Por heshtja nuk e ka kapluar vetëm kryetarin e LSDM-së, por heshtë e gjithë partia e tij, madje edhe deputetët shqiptarë të kësaj partie ende nuk janë shprehur hapur mbi platformën e shqiptarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu