Gjergj Bojaxhiu ka krijuar një projekt shqiptar të ADN, me emrin “Rrënjët”, ku të gjithë mund të kuptojnë prejardhjen krahinore apo vendin, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Projekti Rrënjët është nje vend ku shqiptarët që kanë kryer teste gjenetike mund të regjistrojnë rezultatet e tyre, për të pasur mundësi t’i krahasojnë me rezultatet në databazën e tyre, si dhe me rezultate të tjera publike nga popullsi të lashta dhe bashkëkohore.
Me qenë se tashmë janë publikuar rezultate nga pjesë të ndryshme të Ballkanit nga Epoka e Hekurit dhe nga Antikiteti, mund të krahasojmë rezultatet dhe të dallojmë profilet autosomale të popujve të lashtë.
Sipas të dhënave të publikuara nga projekti Rrrënjët, më poshtë mund të gjeni pozicionin në grafikun PCA të eshtrave nga Epoka e Hekurit dhe Antikiteti nga ilirët e disa rajoneve të ndryshme, nga mesapët, trakët, grekët e lashtë, sllavët dhe ostrogotët.
Me ngjyrë gri janë shënuar për orientim edhe popujt më të vjetër të neolitit dhe mesolitit. Kurse rombet me ngjyrë të kuqe janë rezultatet e periudhës romake nga Timacum afër Nishit.
Dallohet qartë që rezultatet e zonës së Ilirisë formojnë një spektër që zgjatet nga eshtrat nga Dalmacia, që pozicionohen më afër popujve të Europës veriore dhe stepave, deri te rezultatet nga Kukësi dhe Shkupi. Po ashtu, rezultatet trake dhe greke formojnë dy grupe të dallueshme të vendosur në drejtim më juglindor, më afër popujve të Mesdheut lindor.
Nëse rezultatet nga Kukësi dhe Shkupi përfaqësojnë profilin dardan, duket se ka qenë i saktë përshkrimi i tyre si popull ilir me ndikim të kufizuar trak në lindje. Duhet thënë se për një pamje të plotë e të saktë të Ballkanit të lashtë do të duhet të presim eshtra të tjera ilire nga Bosnja, Shqipëria dhe Serbia, eshtra dake dhe eshtra të tjera nga Greqia e periudhës klasike.
Rreth rezultateve nga Timacum, mund të themi se përputhet me pritshmëritë: si vendqendrim i ushtrisë romake pranë kufirit në Danub, vërehet diversitet i eshtrave nga profili i theksuar verior i një skeleti me haplogrup I1-M253, deri te profili qartësisht lindor i një tjetri me R1b-Z2103, të dy me siguri të vendosur aty nga treva jashtë Ballkanit. Mirëpo shumica e eshtrave përputhen me pozicionin e ballkanasve të Epokës së Hekurit: një rezultat është më afër trakëve, kurse një grup prej 3-4 rezultatesh më afër grupit ilir, sidomos afër rezultateve nga Shkupi dhe nga Kukësi. Ky pozicion sugjeron se këta individë ishin rekrutë dardanë të ushtrisë romake. Dihet edhe nga të dhënat historike se pikërisht në Timacum, Mark Aureli vendosi njësinë ushtarake “Aurelia Dardanorum”. Këto rezultate na shtyjnë të besojmë që edhe dardanët para-romakë kishin E-V13, J2b-L283, R1b-CTS9219, etj.
Vija atërore E-M123>Y4972>Y328959, ndër kryesoret në Malet e Sharrit
E-M123 është haplogrupi i dhjetë më i shpeshtë ndër shqiptarë sot, me rreth 1.1-1.2% të gjithë linjave atërore të projektit, por disa nga degët e tij kanë përqendrim të lartë në krahina të ndryshme. Linja E-M123>Y4972>Y328959 gjendet dendur në gjithë rajonin e maleve të Sharrit. Deri tani është gjetur në Topojan, Turaj, Belë e Kollovoz të Kukësit, në Shipkovicë të Tetovës, në Nikaj të Kaçanikut si dhe në një familje serbe përsëri nga zona e Sharrit. Jashtë këtij rajoni është gjetur vetëm në një familje shqiptare nga Tirana dhe një familje serbe nga Bosnja.
Pasi disa prej familjeve kryen teste me rezolucion të lartë, u përcaktua se koha kur ka jetuar paraardhësi i përbashkët i këtyre familjeve është rreth 1300-1400 vjet më parë. Gjithashtu, deri tani janë zbuluar dy degë: në njërën janë dy familje shqiptare nga Kukësi dhe Kaçaniku (prejardhje nga Luma), kurse në tjetrën një familje shqiptare nga Tirana dhe dy familjet serbe.
Prejardhja e lashtë e kësaj linje duhet të lidhet me lëvizjet nga juglindja, jo më vonë se Antikiteti (ndoshta edhe më herët) pasi një skelet nga Zara e shek.2-3 është nën një degë tjetër të E-Y4972 në pemën e FTDNA, dhe linjat moderne europiane lidhen me ato aziatike në rreth 2500-5300 vjet. Me shumë gjasë, nëndega Y328959 arriti t’i mbijetojë rënies së Perandorisë Romake dhe periudhës së dyndjeve në zonën e Sharrit, nga ku edhe u përhap më vonë.
Nisur nga koha e përhapjes në Mesjetën e hershme dhe nga diversiteti më i lartë ndër shqiptarë por me disa nëndegë në popujt përreth (këto ndoshta fillimisht të përhapura si vllehë, para sllavizimit), Y328959 ngjason me disa prej linjave kryesore atërore shqiptare.
Një kuriozitet për Y4972 është se edhe familja e Napoleon Bonapartit bart këtë linjë atërore, dhe sipas pemës së FTDNA është rreth 5300 vjet larg nga nëndega Y328959 që gjendet mes shqiptarëve.