Histori prekëse! Nëna e braktisi pasi jetonte me partnerin, 9-vjeçari i vetëm për dy vjet vidhte domate për tu ushqyer

Për dy vjet, nga viti 2020 deri në vitin 2022, një djalë 9-vjeçar jetonte i vetëm në një apartament në qytetin Nersac, në Francën jugperëndimore.

Pas denoncimit të fqinjëve pranë autoriteteve, nëna e djalit u arrestua dhe të martën gjykata e dënoi me 6 muaj burg, të cilin do ta vuaj në shtëpi me monitorim elektronik (byzylyk).

Gjithçka nisi në vitin 2020, kur fqinjët vunë re se fëmija 9-vjeçar jetonte vetëm në banesë, duke ngrënë konserva, duke u mbuluar me shumë batanije për të përballuar të ftohtin në dimër, ndërsa fqinjët herë pas here e vizitonin fëmijën dhe i vendosnin ushqim në frigoriferin e tij.

Sipas njoftimeve të shtypit francez, nëna 36-vjeçare, e cila kishte kujdestarinë e djalit, jetonte në një qytet aty pranë me partnerin e saj dhe rrallë shkonte me skuterin e saj në banesën e 9-vjeçarit për të lënë ushqimin.

Në raportin e policisë vendase thuhet se fëmija kujdesej për gjithçka vetë, çdo ditë merrte autobusin për në shkollë, kujdesej vetëm për higjienën, ndërsa sipas dëshmisë së një fqinjeje, shpeshherë i vidhte domatet që kishte mbjellë në ballkonin e saj për të ngrënë!

Gjykata dëgjoi se 9-vjeçari ushqehej me biskota ose me konserva, ndërsa fqinji që banon në banesën ngjitur i tha policisë: “Kam bërë një kopsht të vogël dhe i vogli ka ardhur në mënyrë diskrete të mbledhë domate për të ngrënë.” Banesa ku jetonte djali nuk kishte ngrohje dhe rrymë, ndaj kur fëmija ftohej, mbështillej me shumë batanije për t’u ngrohur.

Por paradoksi është se pavarësisht kushteve të pafavorshme në të cilat jetoi, nuk i mungoi shkollës dhe ishte një nxënës i shkëlqyer. Kështu, mësuesit dhe shokët e saj të klasës nuk e kishin kuptuar se çfarë po përjetonte nxënësi i vogël.

Kryetarja e Nersac, Barbara Coutrier, deklaroi se 9-vjeçari ishte gjithmonë i buzëqeshur, një nxënës shumë i mirë dhe një fëmijë shumë i sjellshëm.

Ajo tha: “Nuk kishte asnjë shenjë se ai ishte një fëmijë i braktisur”, transmeton NOA.

Një shok klase i djalit tha për mediat se fëmijët në shkollë nuk e besuan 9-vjeçarin kur ai u tha se ha vetëm dhe merr autobusin çdo ditë vetëm për në shkollë. Sipas shokëve të klasës, fëmija nuk dilte nga shtëpia pas shkollës. Pas gjyqit të nënës së tij, djali u dha në një familje kujdestare./NOA.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu