Ndërprerja e rrymës nuk i ndali tensionet e ofendimet në seancën gjyqësore ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes. Rrenc, kriminel me kravatë, e shumë epitete të tjera iu dhanë prokurorit Abdurrahim Islami nga të akuzuarit.
Duke iu drejtuar me fjalët rrenc, Frashër Krasniqi ka përmendur “gjyqin e historisë” për prokurorin. “Këta njerëz ka me i gjyku historia dhe kanë me mbetë personifikim i njerëzve servilë të ‘Klanit Pronto’”, tha i akuzuari Krasniqi.
Pasi gjykatësi ka përfunduar seancën, i akuzuari tjetër, Egzon Haliti, ka përmendur “kriminelët me kravatë”. “Kriminelë me kravatë“, tha Haliti.
Pavarësisht këtyre akuzave, prokurori Abdurrahim Islami e ruajti qetësinë. “I kam analizuar të gjitha provat dhe alibitë që i keni paraqitur”, tha ai.
Gjykimi që nisi mëngjesin e të mërkurës u shndërrua në një arenë lufte mes avokatit Ramiz Krasniqi dhe prokurorit Abdurrahim Islami.
Krasniqi kërkoi përjashtimin e prokurorit dhe Prokurorisë Speciale duke u arsyetuar me ngutjen e prokurorit. “Kërkojmë përjashtimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për ta përfaqësuar aktakuzën duke e trajtuar si institucionin më të instrumentalizuar nga qeveria dhe institucionet e Kosovës”, tha avokati Krasniqi.
Për prokurorin special kërkesa e Krasniqit ishte e çuditshme, e pabazuar dhe tentativë për t’i arsyetuar paratë. “Njerëzit po bëjnë gjithçka për para”, tha Islami.
Kjo thënie e prokurorit Islami nxiti reagimin e avokatit Krasniqi, i cili e konsideroi si ofendim. “Ky është ofendim, a punon edhe ti për rrogë?”, ka pyetur avokati.
Për të qetësuar gjakrat dhe për të vendosur rend në gjykatë u desh ndërhyrja e gjykatësit Beqir Kalludra.
Ndërsa kërkesa për përjashtimin e prokurorit ka bërë që seanca të ndërpritet deri në një vendim të radhës.
Në deklarimin e tij të parë pas seancës, i akuzuari Frashër Krasniqi tha se e gjithë Kosova e di që janë të pafajshëm. “Na e dimë që populli i Kosovës e din që jemi të pafajshëm dhe kjo pafajësi ka me u vërtetu herët ose vonë, kurse që kanë montuar prova dhe si rezultat i montimit të provave e kemi një të ri që ka vdekur në duart e tyre”, tha Frashër Krasniqi.
Në seancën e sotme do të duhej të deklaroheshin rreth fajësisë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.
Aktakuza ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishte ngritur më 29 dhjetor të vitit që lamë pas.
Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili në rrethana ende të pasqaruara vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /KALLXO.com/