Ka një status-quo, e cila është vendosur me shumë vështirësi në dy dekadat e fundit, sa i përket statuseve të shteteve të reja të Ballkanit. Por Kosova e pavarur dhe para saj Bosnja, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi duket se nuk po e perceptojnë mirë atë. Mjafton një luhatje në bursën politike dhe menjëherë vrundujt e të shkuarës ngjiten si me sustë. Teksa periudha kalimtare e pushtetit politik amerikan po i afrohej fundit dhe presidenti Trump përgatitej për betimin, Serbët provokuan një ngjarje në Kosovë, që përcolli një frikë për pasoja të jashtëzakonshme në rajon. Ballkani pret të tilla provokime, që të shtohen në të ardhmen e afërt.
Gjithsesi, teksa në Kosovën e mësuar me vështirësi në 100 vitet e fundit situata po këqyrej si e keqja e radhës, në Serbi pati shumë e shumë zëra, që e kritikuan dhe madje u frikësuan për pasojat. Kjo qoftë edhe në kampin më ultras të tyre, në grupin e Sheshelj. Zërat për mbrojtjen e serbëve të pafajshëm nga Beogradi dhe pazotësia e qeverisë së Kosovës u fashitën shpejt për t’u lënë vend akuzave fillimisht brenda kampeve respektive kosovaro-serbe.
Duket se multinacionalizmi është kthyer në një objekt të ri sherri ballkanik. Kurse qeveritë e shteteve ballkanike, jo vetëm nuk janë të zonjat t’i frenojnë përplasjet, por e ushqejnë me zjarr benzinën që hidhet vazhdimisht në Ballkan.
Për hir të së vërtetës, ka një problem të madh në Kosovë me komunitetin serb, që nuk lejohet të përfaqësohet nga vetë serbët, por më shumë akoma nga mënyra sesi ata po funksionojnë nën drejtimin e strukturave paralele. Paradoksi shkon deri aty sa vetë anëtarët serbë të qeverisë së Kosovës janë njerëzit që e ushqejnë këtë gjendje.
Vetëm se në terren gjërat nuk janë aq tragjike. Jo ndoshta shumë, por gjithnjë e më shpesh përfaqësues serbë po i binden qeverisë së Kosovës. Në mbledhjen e fundit, kur presidenti Thaçi mblodhi përfaqësuesit e komuniteteve etnike në Kosovë, ata i folën hapur për problematikën, por edhe i kërkuan ndihmë direkte për përmirësimin e jetës së tyre. Ai vetë vendosi lule për herën e dytë në një memorial serbësh të vrarë, realitet që u përcoll tmerrësisht keq në Kosovë.
Ky realitet po e lodh së pari vetë Serbinë, po ia shter energjitë, sepse po heq vëmendjen nga mali i problemeve të brendshme, kurse në kohët e fundit, po percepton dhe gjendje jo shumë të llogaritshme të politikës ruse, ku Kosova po referohet jo aq rrallë deri për njohje.
Kjo po e bën të pashpresë por edhe shumë spontane politikën serbe ndaj Kosovës, që tashmë mendohet se do të kalojë në ngacmime të tjera, pikërisht për të fituar pikë individë të ndryshëm. Një indikacion ka ardhur nga reagimi i orëve të fundit të kryeministrit Vuçiç që e përjashton pavarësinë e Kosovës dhe e shikon si ëndërr thëniet e përfaqësuesve të saj, me të cilët ishte përgatitur për takim, ndërkohë që erërat që fryjnë në politikën evropiane e ndijnë disi cinizmin serb. Zgjedhjet e ardhshme në Francë, qëndrimi britanik janë disa nga ato. Ndërkohë që Serbia s’është më faktor aq determinant, kurse fqinjët e saj janë gjithnjë e më cinikë ndaj saj. “Vëllai” i vogël Mali i Zi i tregoi dhëmbët javë më parë, kurse Kroacia e sikteris hapur madje duke ia bërë krejt malore rrugën evropiane.
Kështu, modifikimet e kufijve që pretendohen sot, për momentin duken të pamundura, edhe pse në Ballkan, kurrë nuk thuhet kurrë. Që do të thotë se ti duhet të jesh gati për ndryshimet që imponon koha e këtij gadishulli kaq problematik. Aman, me zinxhirin e gjërave që po ndodhin, Ballkani është mirë kështu si është, në këtë status-quo, që e pagoi me gjak.
Ka dekada kur janë ndërruar kufijtë dhe këto lidhen me kohën e pas Luftës së Dytë Botërore në 1945, vendosje që u bënë pas një përgjakje të frikshme dhe me aktorë realisht përgjegjës për fatet e botës. Kurse ato që u bënë në vitet pas 1990 e që përcollën shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, shkuan sërish te kufijtë, ku këto shtete të reja përcollën kufijtë e vjetër të komuniteteve etnike.
Ndërkaq vjen puna se edhe Shqipëria nuk është absolutisht jashtë atyre që ndodhin në Ballkan, edhe pse është e amortizuar nga problemet e fqinjëve të saj, falë kufinjve dhe “rrethimit” prej vetë shqiptarëve. Vetëm se kjo nuk do të thotë që ajo s’duhet të përgatitet për sfida të vërteta por edhe për nevojën për largpamësi sa i përket atyre që na lidhin me Kosovën. Jo thjesht të mos bjerë pré e zërave kontrovers për ndarje, porse duhet të shikoj me vizion në politikën e saj të jashtme që t’ia lehtësojë barrën Kosovës. Deri më tash, mbledhjet e përbashkëta të qeverive kanë qenë më shumë një make-up i asaj që është pretenduar sesa një përballje reale me problematikat.
Shqipëria po dëshmon se është një shtet i përgjegjshëm, por jo aq faktor sa mundohen ta përcjellin politikë-bërësit e saj. Që të arrijë të bëhet e tillë, me sa duket, duhet një investim shumë më i madh në politikat e saj të jashtme, ekonomi e fortë por edhe shumë fat dhe mprehtësi.
Këtu flitet edhe për marrëdhëniet në të ardhmen me Serbinë por edhe me shtetet fqinje, që në këto muaj të fundit nuk duken se po ndjekin rrjedha normale. Kosova nuk mund të ndahet, sepse sido që do të kërkohej të ndahej sërish e sërish do t’i dilnin probleme prej vetë njerëzve të saj, që akoma se kuptojnë qenësinë e shtetit të tyre.
Shqiptarët duhet ta lenë retorikën dhe duhet të ndahet nga politika të vjetra, shumë syresh, që e kanë frikë multietnicitetin, një nga të paktat vlera, që komuniteti evropian i vlerëson dhe është i interesuar t’i mbështesë. Por, me sa duket, po vinë realisht kohë të këqija për status-quo e vendosur pas aq problemesh.