Nga: Kim Mehmeti
Ne shqiptarët prej moti kemi filluar ta financojmë vetëzhdukjen edhe atë kryesisht duke investuar në shthurjen, amoralin dhe paturpësinë – pra në zhbërjen e familjes si dhe, në shkatërrimin e gjuhës shqipe, duke i shlyer me qindra fjalë të bukura të saj.
Pra ne jemi duke e shkatërruar shtyllën më të fort që na ka mbajtur në këmbë si popull – familjen dhe jemi duke e rrënuar ‘atdheun’ që na ka mbajtur të bashkuar si një popull – gjuhën shqipe.
Neve pra prej moti nuk na ‘suprizojnë’ intelektualët tanë që e ‘apdejtojnë’ gjuhën tonë më fjalë të huaja dhe të cilët janë ‘karikuar’ me ‘karikuesin’ e mendjelehtësisë së kokëtulit.
Po, ne shqiptarët i shlyem të gjitha tabutë, e së bashku me to e shlyem edhe turpin, ne u bëmë aq ‘open majnd’ sa na e morri era trurin dhe harruam që nuk ka degradim më të madh se të turpërohesh nga ajo që je dha të mos mund ta mbrosh më të vlefshmen që ke.
Ndërkohë ka nga ata që thonë se deri në fund të këtij shekulli gjuha shqipe do zhduket dhe ne si popull, të mbetur pa gjuhë, do zhbëhemi.
Dhe le të na ngushëllojë parashikimi se asokohe në Ballkan nuk do ketë serbë e maqedonas që t’i gëzohen zhdukjes sonë.