Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, ka bërë fluturimin e tij të parë me avionin presidencial Air Force One, të enjten.
Trump ka udhëtuar për në Filadelfia, ku ka mbajtur një fjalim para republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.
Fluturimi me avionin presidencial e ka lënë atë gojëhapur. “Avion i bukur. I mrekullueshëm”, citohet të ketë thënë Trump.
Numri një i Amerikës ka thënë se avioni i tij i vjetër, Boeing 757, “është i mirë”, por që Air Force One është “një avion shumë special për shumë arsye”, transmeton Gazeta Express.
“Ai është mahnitur nga ky avion, dhe nga ajo që përfaqëson Shtëpia e Bardhë”, ka thënë zëdhënësi i tij, Sean Spicer.
Përderisa avioni i vjetër i Trumpit nuk ishte aspak i keq – ai ka dy dhoma të fjetjes dhe një banjë me elemente prej arit 24-karatësh – ai çalon në krahashim me avionin presidencial, një Boeing 747, më i madh se avioni i tij privat, transmeton Gazeta Express.
Air Force One, ndonëse nuk përmban elemente prej ari, ka një hapësirë prej 371 metrash katrorë, dhe është praktikisht një Shtëpi e Bardhë fluturuese.
Trupi i avionit mund ta përballojë një shpërthim bërthamor nga toka, dhe ka raketa ndriçuese të fshehura në krahët e tij, për të hutuar raketat e armikut. /Express