Kush janë bartësit e listave zgjedhore? Duel liderësh: Në NJZ6 Ahmeti-Kasami, në NJZ1 Kovaçevski-Mickoski

Në hijen e aktiviteteve rreth kandidatëve për president, këto ditë partitë po punojnë edhe për hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare. Një pjesë e madhe e tyre tashmë i kanë plotësuar listat dhe ajo që është interesante për opinionin është se kush do të jetë bartësi i listave të deputetëve.

Në koalicionin Fronti Europian, ku bëjnë pjesë BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, Partia Demokratike Europiane e Arianit Hoxhës, Lëvizja Popullore e Skender Rexhepi Zejdit dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit. Nga ky koalicion mësojmë se bartës në njësinë e parë zgjedhore do të jetë Blerim Bexheti, e pas tij në listë është Skender Rexhepi Zejd. Në NJZ2 bartës do të jetë Sadulla Duraku dhe i dyti Elmi Aziri. Në njësinë e tretë dhe të katërt nuk do të kenë përfaqësues të tyre, ndërsa në njësinë e pestë bartës do të jetë Ziadin Sela dhe i dyti Musa Xhaferi. Njësia e gjashtë, e cila konsiderohet më atraktive në të cilën forcat i matin liderët e bllokut politik shqiptar, do të udhëhiqet nga Ali Ahmeti, ndërsa i dyti në listë është Talat Xhaferi.

Kundërshtari kryesor i koalicionit të Frontit Europian sigurisht që do të jetë blloku opozitar shqiptar VLEN, ku bëjnë pjesë Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Besa e Bilal Kasamit, Alternativa e Afrim Gashit dhe ASH-ja e Arben Taravarit. Tashmë është gjithnjë e më e sigurt se në njësinë e parë prijës liste do të jetë Izet Mexhiti, në të dytën Afrim Gashi, në të pestën është ende e paqartë se kush do të jetë kryesues, por sigurisht që do të jetë dikush nga partia e Taravarit. Në njësinë e gjashtë, Kasami do të jetë ai që do të përballet me Ahmetin.

Në bllokun politik maqedonas është gjithnjë e më e sigurt se kush do t’i udhëheqë listat. Jozyrtarisht mësojmë se LSDM-ja do të shkojë me bartës tandem të listave, përkatësisht me dy bartës, një burrë dhe një grua, siç kishte bërë më parë Zaev në zgjedhjet e vitit 2020.

Tashmë dihet se në NJZ1 listën do ta kryesojë kryetari i partisë Dimitar Kovaçevski, por së bashku me Monika Zajkovën. NJZ2 do të udhëhiqet nga Sanja Llukarevska së bashku me Fatmir Bytyqin. Oliver Spasovski me shumë gjasë do të jetë në njësinë e tretë zgjedhore, por është e paqartë se kush do të jetë me të. NJZ4 do t’i përket dyshes Venko Filipçe dhe Jovana Trençevska, pesëshja pritet të udhëhiqet nga Jovan Mitreski dhe Bisera Kostadinova-Stojçevska. Në raundin e gjashtë bartës do të jetë Sllavjanka Petrovska, por se kush do të jetë me të ende bëhen kalkulime. Po ashtu bëhet e ditur se sekretari i përgjithshëm i partisë, Mile Zeçeviq, ka kërkuar që të jetë njëri nga bartësit e listave.

Ballafaqimi të liderëve do të ketë edhe në bllokun maqedonas, por në NJZ1, ku kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do t’i matë forcat me Kovaçevskin. Nga partia opozitare tani për tani, si bartës në NJZ2 përmendet emri i nënkryetarit të partisë, Vllado Misajllovski, ndërsa në tresh Dragan Kovaçki.
Në NJZ4 përmendet emri i Aleksandar Nikollovskit. Për NJZ5 spekulohet me emrin e sekretarit të përgjithshëm Gjorgjija Sajkoski. NJZ6 me shumë gjasa do ta udhëheqë Dafina Stojanovska.

Edhe nga partia ZNAM e Maksim Dimitrievskit paralajmërojnë se mund të dalin vetë në zgjedhjet, dhe përveç emrit të Goran Minçev nuk përmendin anëtarë të tjerë të partisë që do të ishin bartës së listave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu