Besa Sharrah, shqiptaro-amerikania që kandidon për në Senatin e Ohajos

Në zgjedhjet për Senatin në Shtetin e Ohajos që do të mbahen më 5 nëntor, për herë të parë do të kandidojë edhe një shqiptaro-amerikane.

Besa Sharrah, e cila garon në emër të Partisë Republikane, po bën fushatë për të qenë anëtare e organit ligjvënës në shtetin ku mbërriti si emigrante, në vitin 2005.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo thotë se familja e saj, e persekutuar nga komunizmi, nxiti tek ajo ambicien për të luftuar për mbrojtjen e demokracisë, prandaj u aktivizua politikisht shumë e re, ndërsa prej 11 vjetësh është angazhuar në strukturat republikane, derisa mori mbështetjen e partisë, për të garuar për në Senat.

Ajo tregon synimet e saj në këtë fushatë, por edhe arsyet që e kanë shtyrë për t’u përfshirë në lëvizje që lidhen me diasporën shqiptare, si lëvizja për të siguruar të drejtën e votes për emigrantët.

Besa Sharrah e nisi rrugëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara, rreth 20 vjet më parë.

“Unë erdha këtu për të studiuar, kur isha 17 vjeç. Erdha për të studiuar në ‘Wright State’, në Ohajo, për inxhinieri mekanike. Aty u diplomova dhe u bëra inxhiniere, fillova dhe karrierën time dhe fillova dhe praktikova për 7 vjet, derisa mora pozicion lidershipi ku drejtova skuadra inxhinierësh. Kam patur karrierë dhe në pjesën e IT për bankat, kam punuar me dy kompani, JP Morgan dhe Nationwide Insurance”, tregon ajo.

Dëshira për t’u përfshirë në politikë thotë ajo, nuk është aspak rastësi, pasi është rritur me shtysën për të vepruar në mbrojtje të demokracisë. Rrënjët për këtë janë tek vuajtjet e familjes para vendosjes së rendit demokratik në Shqipëri.

“Unë vij nga një familje shumë e persekutuar në Shqipëri. Vij nga familja Sharrah. Ne ishim një familje që mbështesnim demokracinë në çdo kusht. Mbështesnim të drejtat individuale dhe kjo ishte diçka që ishte në kundërshtim me sistemin diktatorial dhe për këtë ata ekzekutuan 7 persona të familjes sime, të gjithë të shkolluar jashtë, me një vizion demokratik për vendin, për të sjellë perspektivën perëndimore gjithashtu në Shqipëri”, shprehet ajo.

Ajo tregon se fillimisht, u bë pjesë e aktiviteteve politike në nivel lokal, në qytetin Kolombos, ku jetonte, por se vazhdimisht synonte të ishte pjesë fushatave të ndryshme që ndodhnin më gjerë, në gjithë shtetin e Ohajos. Prej 11 vjetësh, ajo ka qenë pjesë e stukturave të Partisë Republikane, në emër të së cilës do të garojë për në Senatin e Ohajos.

“Unë jam shqiptarja e parë këtu në Ohajo, që do të bëhet, me shpresën tek Zoti, pjesë e legjislaturës së Ohajos, këtu në Amerikë. Presidenti i Senatit të Ohajos ndjeu se unë do të isha një kandidate shumë e mirë për këtë pjesë të elektoratit, edhe për faktin që jam emigrante, jam ajo që ne e quajmë amerikane e re.”, tha ajo.

VIDEO


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu