Në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët do të udhëheqin me gjashtë ministri dhe me kryetarin e Kuvendit. Kështu tha Arben Taravari nga VLEN për Radio Televizionin e Kosovës. Ai theksoi se këto dikastere do të udhëhiqen me njerëz profesionistë.
ARBEN TARAVARI, VLEN
“Besoj që njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetari i parlamentit do të vazhdojë të jetë shqiptar dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspertë ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim. Besoj se përfaqësimi aty do jetë dinjitoz, me njerëz profesionist”.
Taravari tha se konstituimi i Kuvendit do të bëhet në fund të këtij muaji, kurse Qeveria e re pritet të votohet në pjesën e parë të muajt qershor.
ARBEN TARAVARI, VLEN
“Konstituimi i Kuvendit është planifikuar të bëhet diku ka fundi i këtij muaji, muajit maj, dhe ne ndërkohë ka fundi i javës së ardhshme do t’i kemi edhe zgjedhjet kadrovike dhe programin qeveritar. Pasi të konstituohet Parlamenti duhet që presidentja e shtetit t’i jep mandatin mandatarit të ardhshëm. Në gjysmën e parë të qershorit sigurisht do ta kemi Qeverinë e re”.
Ndërkaq, koalicioni “Vlen” dhe VMRO-DOMNE kanë formuar grupe pune të cilët po zhvillojnë takime për negociata për koalicionim të përbashkët. Koalicioni “Maqedonia juaj” që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate parlamentare, ndërsa Koalicioni VLEN 13 deputetë.