Sali: Për shqiptarët ky rotacion politik nënkupton edhe rotacion në jetën e tyre reale, sepse më 2024 po përfundojnë vitet e letargjisë

Bekim Sali nga Alternativa sot në prezantimin e ekipit ministror të VLEN theksoi se në mungesë të kryetarit Afrim Gashi, ai po e përshëndet këtë mision duke i dëshiruae mbarësi anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar.

“Para se të mblidhemi nesër për ta votuar qeverinë e re, ne jemi mbledhur sot këtu para njerëzve të partive tona, për ta thënë edhe në këtë mënyrë dhe publikisht se ashtu siç kishim paralajmëruar, ndryshimi erdhi. Tashmë edhe skeptikët më të mëdhenj janë bindur se jo vetëm që kemi pasur të drejtë kur e pohonim këtë, por për këtë janë bindur e janë pajtuar edhe kundërshtarët tanë që, duke synuar të shpëtojnë përmes eksperimenteve të ndryshme, vetëm që na e arsyetuan të drejtën tonë të përfaqësimit të shqiptarëve në të gjithë nivelet e pushtetit”, deklaroi Sali.

Sipas rij, lajm i mirë është se ky rotacion politik po ndodhë me votë të lirë, në mënyrë demokratike dhe kjo po vjen si meritë e të gjithë qytetarëve të vendit tonë, të cilët kanë votuar për këtë ndryshim.

“Ajo që dua ta vë në spikamë në këtë adresim është se ne si koalicion e kemi ruajtur përfaqësimin e shqiptarëve në njërin nga tre pozicionet më të larta të pushtetit, duke e zgjedhur Afrim Gashin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, në këtë pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv ne kemi qenë shumë të kujdesshëm që pjesëmarrja jonë të mos jetë më e ulët se prania e shqiptarëve në këtë vend, por më shumë se kaq, kemi qenë të fokusuar në institucione që kanë të bëjnë me zbatimin e programit tonë politik, duke synuar të punojmë seriozisht e me përkushtim në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, por edhe duke mundësuar politika ekonomike, shëndetësore, sociale e mjedisore, me të cilat besojmë se do ta ngremë dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Kjo pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv do të rezultojë edhe në nivelet e tjera të pushtetit dhe unë jam i sigurt se kjo si rezultat përfundimtar do ta ketë një shoqëri më të avancuar në të gjitha fushat e jetës, ndërsa për shqiptarët ky rotacion politik nënkupton edhe rotacion në jetën e tyre reale, sepse më 2024 po përfundojnë vitet e letargjisë, për t’ua hapur rrugën viteve të lirisë, demokracisë, drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies.
Se nuk po flasim vetëm gjëra që duken të bukura, porse kemi para vetes projekte reale shumë më të bukura, për këtë do të bindemi së shpejti dhe ne do të kemi mundësi që këtë ta konstatojmë bashkërisht dhe lehtësisht”, deklaroi Sali.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu