“Ata që shkojnë në punë, nuk do të largohen”, Taravari: Balancuesin do ta zëvendësojë ligji për përfaqësim të barabartë

Balancuesi do të shfuqizohet. Ndërkaq barazia etnike në punësime do të arrihet përmes zbatimit të Ligjit për përfaqësim të barabartë. Kështu njoftoi ministri i shëndetësisë Arben Taravari. Sa i përket krijimit të ministrive të reja, do të bëhet sistematizim i të punësuarve atje ku ka nevojë. Ata që nuk punojnë dhe marrin paga, do të përjashtohen nga puna, paralajmëroi ai.

“Ne jemi marrë vesh, e para duhet të sjellim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe pas asaj do ta heqim balansuesin. S’ka nevojë për balansuesin kur të ketë ligj. Të gjithë njerëzit që shkojnë në punë askush nuk largohet, ju garantoj. Ata që nuk shkojnë në punë ato po. Sistematizim të të punësuarve do të ketë në institucionet ku ka nevojë. Kështu që të jeni të sigurtë se njerëzit të cilët janë të punësuar, punojnë, asnjëri prej atyre nuk do të largohet”, tha Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë.

Deputetja e VLEN, Mimoza Musa, duke folur për këtë ndryshim, tha se në rast të moszbatimit të ligjit për përfaqësim të barabartë, ka inspektorat që do të mbikëqyrin.

“Sepse me ligj garantohet punësimi, edhe me ligj mandej nëqoftëse nuk funksionon ligji kemi inspektoratin që do të kontrollojë a është bërë me rregull punësimi dhe a është përfaqësimi etnik në rregull. Besoj se kjo është argument i mjaftueshëm. Plus, nuk mund të konstatohet diçka që nuk është bërë në praktikë, të themi se a do të funksionojë apo nuk do të funksionojë”, u shpreh Mimoza Musa – deputete e VLEN.

Deputetja Musa tha që balansuesi deri më tani ka qenë jo funksional, mirëpo me këtë konstatim nuk pajtohet deputetja e Frontit Europian, Arbana Pasholli. Dyshon nëse në të gjitha institucionet do të ketë përfaqësim të barabartë të të punësuarve në bazë etnike.

“Keni dëgjuar deklaratën e Avokatit të Popullit që është antikushtetuese tërheqja e balansuesit por megjithatë unë nuk e di si do të kujdesen për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve kur në krye të Ministrisë për Marrdhënie mes Bashkësive, vendoset Ivan Stoillkoviqi”, u shpreh Arbana Pasholli – deputete e Frontit Europian.

E me qëllim që të ketë përfaqësim të barabartë etnik gjatë punësimeve, VMRO-DPMNE së fundmi mbajti një takim pune me Frontin Europian, ku dy palët u dakorduan të formohet një komision ad hoc, me kryetar të propozuar nga opozita. Megjithatë mbi këtë çështje, deri tani nuk ka pasur zhvillime të reja.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu