Presidenti nuk mund të ndal formimin e qeverisë nëse LSDM arrin të sigurojë shumicë parlamentare. Opinionistët këshillojnë partinë e Zaevit, që sa më parë të fillojë bisedimet me partitë shqiptare, dhe të shkojë me 61 nënshkrime tek Presidenti dhe ta kërkojë mandatin.
Profesori Universitar, Ylber Sela, thotë se kushtet e partive shqiptare janë në letër, sipas tij, ai që duhet të veprojë është Zoran Zaev.
“Ne kemi platformë shqiptare, dhe për fat të mirë partitë shqiptare u bashkuan për një platformë. Partitë shqiptare e kanë thënë fjalën e fundit… Hajde be vëlla urdhëro, hajde zoti Zaev, shko takoje zotin Sela, shko takoje Rilindjen me Besë, shko takoje zotin Ahemti, dhe thuaj unë i pranoj këto kushte dhe hajde shkojmë ti bëjmë gati nënshkrimet dhe të shkojmë në parlament dhe të bëjmë qeverinë”, tha Ylber Sela, Profesor Universitar.
Analistët Ismet Ramadani dhe Albert Musliu, janë të mendimit se në sistem parlamentar qeverinë e zgjedh kuvendi, kurse presidenti po mundohet vetëm të defaktorizoj subjektet politike shqiptare.
“Ai donë ta defaktorizoj subjektin shqiptar në krejt këtë çështje dhe aty qëndron problemi. Mos mendoni se problemi është në procedura. Ai i din ato procedura, edhe praktikat, edhe këto që i përmendem neve”, tha Ismet Ramadani, Analist.
Sipas profesorit universitar, Mersim Maksuti, edhe nëse presidenti vazhdon të respektoj principin që të ja jep mandatin partisë fituese, tani radhën e ka Zaev që ta merr mandatin.
“Me që presidenti nuk përcaktoi Gruevskin në bazë të kushtetutës, shkeli kushtetutën, ok atëherë do të shkojmë me këtë princip në të cilin ka hy Ivanovi. Sipas këtij principi, 20 ditë ka pasur kohë mandatari të bëj qeverinë, dhe ai dështoi dhe me këtë ai e konsumoi këtë të drejtë. Tash presidenti nuk ka rrugë tjetër pos t’ia kaloj mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të partisë së dytë fituese, që në rastin konkret është LSDM-ja”, tha Maksuti.
Edhe për të shpallur zgjedhje të reja nevojitet shumicë parlamentare, thotë Talat Xhaferi i BDI-së. Ai porositë Zaevin që nëse është dakord me kushtet e platformës shqiptare, nuk ka nevojë që të pret 10 ditë për të marrë mandatin.
“Logjika parlamentare thotë që ai nëse është i sigurt në kalkulimet e veta, në numrat, se tash çështja është tek kalkulimet… Nëse është i sigurt se ai garanton shumicë, ai duhet ti drejtohet institucionit përkatës, dhe ti thotë, po unë e kam mundësinë dhe gatishmërinë, mos të pres 10 ditë. Ato ditë do të kalojnë”, u shpreh Talat Xhaferi, BDI.
Të gjithë mysafirët ishin të mendimit se Presidenti Ivanov është i kapur nga VMRO DPMNE, dhe do të duhet që LSDM të reagon sa më shpejtë, që ai mos të zvarritë situatën.