Edhe pse vaksina nuk ishte në dispozicion në vitin 2014, kur në disa vende afrikane shpërtheu Ebola, besohet se do të jetë e rëndësisë jetike për vitet që vijnë, raporton CNN.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se vaksina eksperimentale kundër Ebola-s është njëqind për qind e suksesshme.
OBSH është duke kërkuar miratimin rregullator të vaksinës “RVSV-EBOV” e cila do të lëshohet në përdorim global më së largu deri në vitin 2018.
“Nëse epidemia e Ebolës shpërthen përsëri, ne nuk do të jemi të pafuqishëm siç kemi qenë dy vite më parë. Bota nuk mund të përballojë një katastrofë njerëzore siç ishte atëherë”, tha për “New York Times” shkencëtarja udhëheqëse, Marie-Paule Kieny, nga OBSH.
Shpërthimi i Ebola në vitin 2014, në Afrikën Perëndimore, ka marrë më shumë se 10.000 jetë.
Raste të reja të infektimit vazhdojnë të ndodhin në Guine, ku shkencëtarët po eksperimentojnë teknikën e ashtuquajtur “vaksinimi unazë”.
Ebola nuk u kthye tek asnjë nga 5,837 pacientët, pas vaksinimit me vaksinën eksperimentale, tha OBSH, duke shtuar se tani përpjekjet janë të drejtuara te fëmijët, ku vaksina ende nuk është përdorur.
Virusi Ebola u zbulua për herë të parë në vitin 1976. Epidemia më madhe e virusit shpërtheu në vitin 2014, së pari në Afrikë dhe më pas në pjesë të tjera të botës. Deri në këtë vit, mjekët nuk kanë gjetur një vaksinë të përshtatshme apo mënyrë të trajtimit.