Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.
Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.
BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.
Blloku ka rikujtuar që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogut.
Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.
Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.
Mbyllja e objekteve është dënuar prej zyrtarëve të Postës së Serbisë, Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, ka pretenduar se Posta “ofron shërbime në përputhje me të gjitha rregulloret në fuqi”, dhe se aksioni policor në veri të Kosovës, ka vazhduar “terrorin sistematik” në komunat me shumicë serbe.
Angjellkoviq është zotuar që do të merren të gjithë hapat e nevojshëm që Posta të vazhdojë t’iu shërbejë qytetarëve në Kosovë.
Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.
Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.
Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.
Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.
Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.
Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi që prek dinarin, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë./REL