Prokuroria Themelore Publike njofton se i dyshuari i dytë në aferën e pranimit të ryshfetit në shumë prej 10 mijë eurove, si dhe ish-avokat i popullit Ixhet Memeti, ka pranuar fajin në lëndën ku i dyshuari i parë është ish-gjykatësi i Gjykatës Supreme, Nake Georgiev.
Nga Prokuroria thonë se është arritur marrëveshje me Memetin, i cili hetohej për “marrje të dhuratës për ndikim të paligjshëm”. Prokuroria thotë se me nënshkrimin e marrëveshjes, ai e ka pranuar fajin.
“Palët janë pajtuar që i dyshuari I.M. për veprën e kryer duhet të dënohet me masë alternative-dënim me kusht me burgim prej një viti, i cili nuk realizohet nëse i dyshuari brenda tre vjetëve nuk kryen vepër të re penale, gjykata duhet të shqiptojë edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës së zyrtarit, për periudhë prej 3 vjetësh”.
“I dyshuari I.M. me vetë nënshkrimin e propozim-marrëveshjes e ka pranuar fajësinë, pra nuk e konteston veprën penale për të cilën ngarkohet dhe pajtohet me sanksionin e propozuar penal”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë, nga ku shtojnë se ka nisur procedura për marrëveshje edhe me ish-gjykatësin Georgiev.