Sot bëhen 33 vjet nga shpallja e Maqedonisë së Veriut si shtet i pavarur dhe sovran. Shpallja e sovranitetit të shtetit, erdhi pas një referendumi që u mbajt më 8 shtator 1991.
Në referendum pozitivisht janë përcaktuar 95,09% nga qytetarët e dalë në referendum, ose 72,16% nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.
Për këtë arsye 8 shtatori është shpallur festë shtetërore – Dita e Pavarësisë.
Pas referendumit vijoi miratimi i Deklaratës për Pavarësi, e cila u miratua më 25 janar të vitit 1991. Më 17 nëntor të po të njëjtit vit, u miratua Kushtetuta.
Bullgaria, e cila sot po pengon hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë e vendit. Pas saj vijuan Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia dhe Bosnje e Hercegovina.
Një vit pas, më 26 prill u zgjodh edhe monedha e cila edhe sot është denari.
Në vitin 1993 u bë anëtarja e 181-të e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila u bë nën referencën e Ish Republika e Jugosllavisë e Maqedonisë, për shkak të bllokadës nga Greqia.
Greqia hoqi veton me arritjen e Marrëveshjes së Prespës ku vijoi ndryshimi i emrit kushtetues – Maqedonia e Veriut.
Kjo ka bërë që vendi të bëhet edhe anëtarja e 30-të NATO-s.
Një nga marrëveshjet që ndryshoi Maqedoninë e Veriut, është edhe ajo e Marrëveshjes së Ohrit.