Nuk janë të rralla rastet kur ëndrrat e fëmijërisë, mbeten veç si të tilla.
Flamur Pestisha, kampion i kickboksit për trevat shqiptare në peshat deri në 65 kilogramë në një rrëfim për Klankosova.tv tregon se ëndërr fëmijërie kishte futbollin, edhe pse e ushtronte njëkohësisht edhe sportin luftarak.
Ai për Klankosova.tv, tregoi në detaje historinë se si e braktisi futbollin për t’u bërë kampion në ring.
“Kickboksin e kam filluar nga mosha gjashtëvjeçare, atëherë kur xhaxhai vinte nga Gjermania dhe na mblidhte për të ushtruar, dhe aty ai e ka vërejtur se kam talent për këtë sport”, tha Pestisha.
“Gjatë fëmijërisë kam qenë edhe futbollist. Prirjet në fillim si fëmijë i kam pasur për futboll, nuk e kam pritur që ndonjëherë do të bëhem kickboksier. Duke kaluar vitet, më shtohej pëlqimi për kickboksin, dhe pastaj vendosa t’i përkushtohem veç kickboksit”, shtoi ai.
I forti i ringut, thotë se me futbollin u përshëndet në moshën 13-vjeçare.
“Futbollin e kam nisur në moshën shtatëvjeçare, dhe e kam vazhduar deri në moshën 13-vjeçare. Kam luajtur si anësor në klubin ‘Hajvalia’ rreth dy vite, ku gjatë kësaj kohe edhe ushtroja kickboks, por fokusin ende e kisha te fusha e gjelbër”, u shpreh ai.
Pestisha tregoi se kickboksin fillimisht nuk e ushtronte me intensitetin e një garuesi, por e bënte atë veç për hobi.
“Në momentin që nisa ta marr seriozisht kickboksin, e braktisa futbollin”, theksoi Pestisha.
Pasi ëndrrës së fëmijërisë i vuri dryrin, kampioni i kickboksit thotë se i lindi ideja për të zhvilluar meçin e parë, ku edhe u tregua i zoti.
“Lindi ideja për të zhvilluar meçin e parë, ku në atë kohë isha 14-15 vjeçar. Meçi i parë në të cila mora pjesë, ishte në Prishtinë, aty dola fitues”, tregoi ai.
24-vjeçari, gjatë bisedës tutje tha se nuk u pendua që e zgjodhi kickboksin, ndërsa ndeshjet e futbollit i shikon me pasion, por edhe luan ndonjëherë për qejf.
Meçin e dytë ai e zhvilloi një vit pasi hyri në ring për herë të parë.
“Meçin e dytë e mbajta një vit pas të parit. Fokusin në fillim e kisha të marrë përvojë në Kosovë, jo jashtë saj, derisa i kam zhvilluar tri apo katër meçe. Meçin e pestë apo të gjashtë e kam mbajtur në Shqipëri, pastaj mora pjesë në Mal të Zi, pastaj në Maqedoni”, rrëfeu Pestisha.
Ai thotë se kur i është caktuar data e meçit është përgatitur gjithmonë për të, dhe se vetëbesimin e kishte në qiell.
Titulli i parë që Pestisha e fitoi, ishte ai si Kampion i Kosovës në Kickboks, për peshën deri në 60 kilogram.
24-vjeçari pastaj synoi t’i tregonte aftësitë e tij edhe në kampionatin e Shqipërisë, ku edhe arriti të gëzohej.
“Pastaj kur është mbajtur kampionati i Shqipërisë në vitin 2019, kam garuar për peshën deri në 63 kg. Aty e fitova vendin e parë. Meçi u zhvillua në Vlorë, nga Federata shqiptare e Kicboksit, e cila bëri kërkesë jo në kuadër të Federatës kosovare të Kickboksit, por për ekipe private. Atëherë u rraha me një garues goxha të fortë, ai në atë kohë e kishte vendin e parë në Shqipëri”, tha ai.
E pas këtyre dy titujve, Pestisha arriti të merrte edhe titullin më të madh që e mban deri më tani, atë të kampionit për trevat shqiptare.
“Në vitin 2021, i kisha dy meçe të rëndësishme. Me 31 qershor fitova në ndeshjen e cila ishte gjysmëfinale. Më 5 dhjetor, u ballafaqova në Tetovë me një kosovar, në meçin e zhvilluar për nder të përvjetorit të vdekjes së legjendës së kickboksit Besim Kabashit, i cili është kampion i shumëfishtë i botës. Meçi ka qenë shumë i fortë, me tre runde. Isha më i përgatitur se kundërshtari dhe fitova. Aty fitova titullin për kampion të kickboksit për të gjitha trojet shqiptare, për peshën deri në 65 kg”, rrëfeu ai.
“Zoti ma shpërbleu mundin”, theksoi 24-vjeçari.
Gjatë bashkëbisedimit mes tjerash, Pestisha tregoi se në ring ka hyrë 20 herë kurse gjysmën nga to i vlerëson më së shumti.
Ai thotë se frymëzim për të ishin legjendat e kickboksit, që gjatë kohës kur i shikonte se si luftonin i tha vetes “pse nuk bëhem edhe unë sikur ata”.
Flamur Pestishës i vendoset rripi, pasi shpallet kampion kickboksi për trojet shqiptare, deri në peshën 65 kg. Viti:2021.
Pestisha: Flamuri mund të bëhet edhe kampion bote
Trajneri Mehdi Pestisha, i cili ishte i pari që e ushtroi nipin e tij, thotë se ai ka aftësi të bëhet edhe kampion bote.
“Gjatë kohës kur isha për pushime në Kosovë, i ushtroja djemtë e vëllezërve, dhe aty e vërejta që Flamuri ka një talent të jashtëzakonshëm. Unë gjatë ushtrimeve e kam ditur që Flamuri do të bëhej kampion. Ai ka talent, dhe është një luftëtar që nuk di të ec mbrapa, mund të bëhet edhe kampion bote”, u shpreh Pestisha.
Më i forti i trevave shqiptare, njëri nga mësuesit e kampionit të Evropës
Flamur Pestisha, nga viti 2018 nisi punën edhe si trajner.
Një nga nxënësit e tij Jon Gashi, u shpall kampion i Evropës në kickboks, për peshat deri në 73-75 kilogram.
Gashi në këtë rrëfim për Klankosova.tv, thotë se gjatë avancimit në karrierë i kanë ndihmuar edhe trajnerë të tjerë, por edhe Pestisha ka dhënë kontribut.
“Gjatë avancimit tim si kickboksier, kam bashkëpunuar me trajnerë të ndryshëm. Gjatë periudhës së fundit në klubin ‘Rigoro’, vlerësoj shumë angazhimet e Flamurit, jo veç me mua por edhe me gjithë klubin”, tha ai.
Kampioni i Evropës, tregoi se te Pestisha si trajner vlerëson përkushtimin, teknikat, dhe profesionalizimin.
Flamur Pestisha, thotë se para se Gashi të bëhej kampion me të kanë ushtuar katër vjet.
“Para se Joni të fitonte titullin si kampion evrope për peshën 73 deri në 75 kilogram, me të kemi ushtruar katër vjet”, u shpreh ai.
24-vjeçari thotë se nën trajnimin e tij janë edhe pesë garues, nga të cilët pret edhe tituj.
“Shpresoj që do t’i sjellim edhe ndonjë titull tjetër Kosovës”, theksoi ai.
Nga kickboksi ka dobi, thotë Pestisha
Pestisha thotë më tutje se sporti të cilin e ushtron të bën njeri të respektueshëm.
“Kickboksi nuk është veç për t’u rrahur. Ai ta jep mësim jetësor, të bën më të disiplinuar, të bën person që i respekton të tjerët më shumë. Respekti që ti u jep njerëzve, ata do të vënë re se ti je sportist”, u shpreh 24-vjeçari.
“Nëse një sportist bën gjeste nëpër rrugë, ose nuk e bën sportin me qejf, ose e keqpërdor atë. Këshilloj të rinjtë të ushtrojnë kickboks, sepse të mëson të bëhesh një ‘fighter’ (luftëtar) i mirë, të bësh një trup të mirë, të humbësh peshë. Kickboksi nuk është veç për të rinjtë, kemi pasur në klubin tonë që kanë ushtuar njerëz në moshën 50-vjeçare”, shtoi ai.
Flamur Pestisha falënderoi trajnerin e tij të parë Mehdi Pestishën, pastaj edhe atë të dytin Ridvan Vllasaliun.
“Në radhë të parë për karrierën time e falënderoj xhaxhain tim Mehdi Pestishën, ai mi ka dhënë hapat e parë. Në rend të dytë, Ridvan Vllasaliun. Dua t’i falënderoj edhe shokët e klubit, kanë bërë sparing me mua tërë kohën”, u shpreh Flamur Pestisha. /Klankosova.tv