ASH krahu i Ziadin Selës: Urime Taravarit! Shfuqizohet Balansuesi, nuk ka më punësime për shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për balanserin, teksa ka fajësuar Arben Taravarin dhe koalicionin VLEN që ndaluan punësimet e shqiptarëve.

Nga ASH thonë se nuk do të heshtin ndaj këtyre veprimeve të qeverisë mono-etnike, por së bashku me popullin do të mbrojnë dinjitetin kombëtar.

Reagimi i plotë:

Urime Taravarit! Shfuqizohet Balansuesi, nuk ka më punësime për shqiptarët
Pas paralajmërimeve të përfaqësuesve të Qeverisë monoetnike, Mickoski, Dimitrievski, Taravari, sot Gjykata Kushtetuese realizoi një hap të madh nga projekti për deshqiptarizimin e shtetit. Vendimi i sotëm për ndërprerjen e Balansuesit është goditje për një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Prej sot e tutje, nuk do të ketë më vende të garantuara për punësim dhe emrime në pozicione udhëheqëse të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera jo shumicë. Urojmë zotëri Arben Taravarin për “fitoren” e tij të madhe kundër shqiptarëve dhe servilizmin ndaj kësaj Qeverie antishqiptare. Ai ia kaloi edhe Mickoskit dhe Dimitrievskit duke u shprehur decid kundër punësimit në baza etnike dhe ishte lajmëtari i fundit i këtij vendimi që pasoi sot.
Kujtojmë Gjykatën Kushtetuese se ky ka qenë institucioni që në historinë e shtetit ka shkaktuar diskriminimin dhe padrejtësitë më të mëdhaja dhe si pasojë edhe trazirat më të kobshme. Kujtojmë Qeverinë aktuale monoetnike, ku tanimë nuk dallojnë as partnerët servil të cilët u bënë në një zë me Mickoskin dhe Stoilkoviçin, se po e çojnë vendin 24 vite pas, në kohën e para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Sot e pa i gjithë opinioni se kush janë skenaristët e destabilizimit dhe kush dëshiron tensione. Duke akuzuar shqiptarët e duke shtypur po shqiptarët njëkohësisht, nuk do të arrini të realizoni planet tuaja, e aq më pak të na kompleksoni e frikësoni. Ne, bashkë me shqiptarët nuk do të pranojmë vendime të këtilla arbitrare, me mbivotim etnik, që rrënojnë të arriturat e deritanishme nga Marrëveshja e Ohrit.
Për situatën e krijuar do të alarmojmë edhe garantuesit e MO-së, Bashkësinë Ndërkombëtare dhe do të ngrejmë zërin në çdo formë demokratike dhe legjitime.
Ju që nuk vleni më për asgjë, e që u bëtë servil dhe ekzekutues të vendimeve më të rënda ndaj shqiptarëve, do të mbaheni mend në histori gjatë kohë për tradhëtitë tuaja!
– Aleanca për Shqiptarët –


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu