Ushtria izraelite sot në mbrëmje kreu një sulm ajror të rëndë dhe të paprecedentë në zonën periferike jugore të Bejrutit, duke pretenduar se ka sulmuar selinë kryesore të grupit libanez Hezbollah.
Sipas korrespondentit të Anadolus në terren, avionët luftarakë izraelitë kryen rreth dhjetë sulme ajrore në zonë, e cila është bastion i Hezbollahut, me një sasi të madhe tymi që ngrihej mbi zonë.
Menjëherë pas sulmeve ajrore, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se sulmi kishte në shënjestër shtabin kryesor të Hezbollahut, për të cilin ai pretendoi se ishte ndërtuar nën ndërtesa civile.
Sipas Kanalit 12 izraelit, ushtria izraelite po kontrollon nëse shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ishte brenda zonës së shënjestruar.
Nuk është raportuar për viktima pas sulmeve ajrore izraelite, të cilat erdhën pas fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Izraeli ka goditur Libanin që nga mëngjesi i së hënës, duke vrarë mbi 700 njerëz dhe duke plagosur afro 2.200 të tjerë, sipas shifrave të publikuara nga Ministria libaneze e Shëndetësisë.
Ministria ka thënë gjithashtu se numri i të vdekurve në Liban që nga tetori i kaluar është 1.540, përveç më shumë se 77.000 të zhvendosurve nga pjesët jugore dhe lindore të vendit.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 41.500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, duke ngritur shqetësime për zgjerimin e konfliktit të Gazës në një luftë rajonale.